RTV AHIRETI
Lajme

BE dhe SHBA të shqetësuara për veprimet e fundit të Qeverisë me institucionet paralele serbe në Kosovë

be-dhe-shba-te-shqetesuara-per-veprimet-e-fundit-te-qeverise-me-institucionet-paralele-serbe-ne-kosove

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë shprehur shqetësim lidhur me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për të mbyllur institucionet paralele serbe në disa komuna të vendit, transmeton Anadolu.

BE-ja në një reagim ka vënë në dukje me shqetësim të madh operacionet e Policisë Speciale të kësaj jave në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë dhe objektet e organizatës joqeveritare “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” në Prishtinë.

“Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komuniteteve serbe të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhet në reagimin e BE-së.

Sipas BE-së, statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe rrjedhimisht BE-ja i ka kërkuar Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme të cilat mund të rrisin tensionet.

Po ashtu, në një reagim nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, ambasadori Jeffrey Hovenier ka akuzuar autoritetet e Kosovës se po nxisin tensione ndëretnike me veprimet e fundit teksa ka përmendur edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Qeveria e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që SHBA-ja të shërbejë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e ambasadorit Hovenier.

Hovenier ka përmendur çështjen e mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë. Po ashtu ka thënë se SHBA-ja është e shqetësuar për konfiskimin e dinarëve serbë dhe një veture që po bartte mjetet për t’i shpërndarë pagesat nga Serbia.

“Ne presim që autoritetet e Kosovës të sigurojnë se individët për të cilat ishin të dedikuara këto pagesa sociale, t’i marrin pa vonesa”, ka deklaruar Hovenier duke shtuar se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për shqetësimet e të gjithë qytetarëve.

Ambasadori amerikan ka thënë se çështja e strukturave serbe duhet të përfshihet në dialog.

Në dy javët e fundit, me urdhër të Prokurorisë së Kosovës dhe në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Policia e Kosovës ka zhvilluar aksion për mbylljen e strukturave paralele të Serbisë të cilat kanë operuar në rajonin e Pejës dhe ato të Dragashit.

Related posts

Përleshjet në Sudan, shpërthim masiv në aeroportin e Khartumit

admin

Pas 15 ditësh, bëhet ndërrimi i policëve që ishin të bllokuar në Leposaviq

admin

Një i vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë

rezart morina