Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë javën e ardhshme një propozim për të udhëhequr trajnimin e 3,000 oficerëve palestinezë të policisë, me qëllim që më pas të vendosen në Gaza, raporton një media ndërkombëtare.
Sipas një dokumenti të përgatitur nga shërbimi diplomatik i BE-së para takimit më 20 nëntor, zyrtarët kanë paraqitur opsione për të kontribuar në zbatimin e planit 20-pikësh për Gazën, të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Misioni i BE-së për mbështetje policore mund të “udhëheqë trajnimin e forcës palestineze të policisë në Gaza duke ofruar trajnim të drejtpërdrejtë dhe mbështetje për rreth 3,000 oficerë palestinezë të policisë [në pagë të Autoritetit Palestinez], me synimin e trajnimit të të gjithë forcës prej 13,000 oficerësh”, thuhet në dokument, sipas Reuters.
Dokumenti gjithashtu sugjeron zgjerimin e misionit civil të BE-së për monitorimin e kufirit në Rafah në pika të tjera kalimi kufitar, por është e pasigurt nëse BE-ja do të ecë përpara me këto iniciativa.
Ndërkohë, Rusia të enjten propozoi një draft rezolute të OKB-së për Gazën, duke sfiduar përpjekjen amerikane për të miratuar tekstin e vet që mbështet planin e Trump. /mesazhi

