RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

BE do të publikojë hapat e mëtejshëm për krizën energjetike

be-do-te-publikoje-hapat-e-metejshem-per-krizen-energjetike

Hapat e ardhshëm të Bashkimit Europian për adresimin e përkeqësimit të krizës energjetike pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia pritet të publikohen javën e ardhshme, tha të martën komisionerja europiane për energjinë.

Shumë vendeve europiane u është dashur të tkurrin buxhetet e tyre pasi kostot e energjisë po vazhdojnë të rriten. Kompania shtetërore ruse e energjisë vazhdon të mbajë mbyllur tubacioni kryesor që transporton gaz natyror në Europë, gjë që zyrtarët gjermanë e shohin si një lojë pushteti politik, dhe presidenti i Komisionit Europian thotë se tregu i energjisë elektrike i BE-së nuk funksionon më në dobi të Rusisë si goditje e pasojave nga lufta në Ukrainë.

Një takim i jashtëzakonshëm i ministrave të Energjisë të Bashkimit Europian do të mbahet të premten në Bruksel për të diskutuar një paketë zgjidhjesh në mbarë bllokun për rritjen e kostove të energjisë në treg, tha në një intervistë për Associated Press, komisionerja europiane për Energjinë, Kadri Simson.

Ajo tha se Komisioni Europian pret që paketa të miratohet të martën e ardhshme dhe se në të mund të pritet një ulje e çmimeve të gazit dhe energjisë, rritje e likuiditetit për tregun dhe reduktim i koordinuar i kërkesës. Kjo mund të përfshijë një kufizim të përkohshëm të çmimit të gazit të përdorur për prodhimin e energjisë elektrike, modifikimin e rregullave të tregtimit në shkëmbimet e energjisë dhe masat e koordinuara për reduktimin e kërkesës, si ato që u panë gjatë verës.

“Ne e dimë se ka orë piku ku familjet dhe ndërmarrjet tona janë duke u përballur me rritje ekstreme të çmimeve për orë,” tha ajo në intervistën në zyrën e Delegacionit Europian në Xhakartë. “Një pjesë e këtij propozimi ka të bëjë gjithashtu me orët e pikut dhe mënyrën se si do të ulë kërkesën në këto periudha specifike kohore.”

Kombet europiane kanë punuar për të gjetur shumë zgjidhje në lidhje me alternativat e energjisë. Një rregullim afatshkurtër është afërsisht 20 terminale lundrues që do të merrnin gaz natyror të lëngshëm nga vendet e tjera dhe do ta kthenin atë në gaz natyror për shtëpitë dhe bizneset.

Plani, me terminalet e parë lundrues të vendosur për të nisur ofrimin e gazit deri në fund të vitit, ka ngritur alarmin tek ekspertët që kanë frikë nga pasojat afatgjata për mjedisin. Ata paralajmërojnë se terminalet do të përjetësojnë mbështetjen e Europës tek gazi natyror, i cili çliron metanin dhe dioksidin e karbonit që ngroh klimën kur prodhohet, transportohet dhe digjet.

“Tani për tani, në këtë situatë ku Rusia po përdor furnizimet me gaz natyror si armë, ne duhet të sigurojmë fillimisht furnizimin. Dhe kjo do të thotë se nevojiten disa investime të jashtëzakonshme”, tha Simson kur u pyet për shqetësimet mjedisore.

Simson pranoi gjithashtu se kostoja globale në rritje e gazit ka shtyrë disa vende të përdorin burime energjie më të lira, por më shkatërruese për mjedisin.

“Ne po marrim përgjegjësi”, tha ajo. “Hapi më i madh që ne po bëjmë për të mos ndikuar në tregun global të gazit dhe LNG-së është të biem dakord që do të ulim konsumin tonë të gazit.”

Bashkimi Europian ka një angazhim të detyrueshëm për të ulur emetimet e gazeve serrë me 55% deri në vitin 2030 dhe për të arritur zero emetimet neto të gazeve serrë deri në vitin 2050. Gazi natyror është promovuar si një “urë për karburantet ” sepse në termocentralet prodhon më pak dioksid karboni kur digjet se sa qymyri Por disa ekspertë janë ende kritikë për këtë vendim.

“Ne do ia dalim për këtë dimër – dhe disa qeveri ndërkombëtare kanë marrë – një sërë angazhimesh për të reduktuar konsumin e energjisë,” tha Simson. “Ne nuk do t’i arrijmë objektivat tona klimatike nëse nuk i japim përparësi kursimit të energjisë.”

Simson tha gjithashtu se kriza aktuale e energjisë në Europë e ka bërë më të qartë se energjia e rinovueshme si ajo e diellit dhe erës janë thelbësore për energjinë në të ardhmen.

“Energjitë e rinovueshmet nuk janë të rëndësishme vetëm nga ana klimatike, por ato gjithashtu na lejojnë të marrim përgjegjësinë për konsumin në duart tona”, tha ajo.

Simson ishte në Indonezi ku mori pjesë në një takim të Grupit të 20 vendeve kryesore të pasura dhe në zhvillim në Bali. /monitor/ap

Related posts

Kurti: Kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin është absurd

RTI

Britania, “hall i ri”: Nuk ka vend për emigrantët as në qendra pritjeje e as në burgje

admin

Athina mbulohet nga pluhuri Saharian

RTI