RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

BE e vendosur për të pezulluar marrëveshjen e vizave me Rusinë

be-e-vendosur-per-te-pezulluar-marreveshjen-e-vizave-me-rusine

Plani për të pezulluar marrëveshjen e vitit 2007 do ta bëjë më të vështirë dhe më të shtrenjtë për rusët që të marrin dokumente për lëvizjen në zonën Shengen.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të mbështesin këtë javë pezullimin e marrëveshjes së bllokut për lehtësimin e procedurave të vizave me Moskën, në një përpjekje për të reduktuar numrin e lejeve të udhëtimit që lëshohen nga vendet e unionit, pasi disa shtete anëtare të Lindjes kërcënuan se do të mbyllnin në mënyrë të njëanshme kufijtë e tyre për turistët rusë.

Disa vende kanë kërkuar veprime të përbashkëta për të ndaluar rusët e zakonshëm që të udhëtojnë në BE me viza turistike, në vazhdën e përpjekjeve të bllokut për të ndëshkuar Moskën për pushtimin e Ukrainës, duke ruajtur ndërkohë unitetin midis 27 vendeve anëtare.

Disa vende, duke përfshirë Republikën Çeke dhe Poloninë, ndaluan dhënien e vizave për turistët rusë menjëherë pasi presidenti Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e plotë të Ukrainës në muajin shkurt. Që atëherë, këto vende kanë kërkuar nga Brukseli që të miratojë një ndalim të plotë të dhënies së vizave, duke përfocuar kështu kërkesën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Por, disa vende të tjera kanë vazhduar të ofrojnë dokumentet e udhëtimit, duke lejuar rusët me viza që të udhëtojnë kudo në zonën e lëvizjes së lirë Shengen.

Si hap i parë, ministrat planifikojnë të japin mbështetje politike për pezullimin e marrëveshjes për lehtësimin e vizave BE-Rusi në një takim dy-ditor në Pragë që fillon të martën, sipas burimeve të Financial Times.

“Është e papërshtatshme që turistët rusë të shëtisin në qytetet tona, në marinat tona,” tha një zyrtar i lartë i BE-së, i përfshirë në bisedime. “Ne duhet t’i dërgojmë një sinjal popullatës ruse se kjo luftë nuk është në rregull për ne, nuk është e pranueshme.”

Disa pjesë të marrëveshjes së vitit 2007 për lëvizjen e lirë të zyrtarëve qeveritarë dhe të biznesmenëve u pezulluan në fund të shkurtit. Ky pezullim në shkallë më të gjerë do të hiqte trajtimin preferencial për rusët që aplikojnë për të gjitha vizat e BE-së, duke shtuar kështu numrin e dokumenteve të kërkuara, duke rritur kostot dhe duke shtuar ndjeshëm kohën e pritjes.

“Jemi në një situatë të jashtëzakonshme dhe kjo kërkon hapa të jashtëzakonshëm. Ne duam të shkojmë përtej pezullimit të lehtësirave për vizat”, tha zyrtari i lartë i BE-së, duke shtuar se deri në fund të vitit mund të bëhen publike ndryshime akoma më të thella.

Megjithatë, nuk ka konsensus në lidhje me masat shtesë që mund të ndërmarrë Brukseli, të cilat do të reduktonin numrin e vizave të BE-së për rusët ose do të ndalonin plotësisht dhënien e tyre, apo edhe për propozime të tilla si aplikimin e çdo ndalimi edhe për qytetarët e Bjellorusisë, një shtet i cili ka mbështetur pushtimin e Putinit.

Disa vende, duke përfshirë Gjermaninë, janë shprehur kundër një ndalimi të plotë. Josep Borrell, kryediplomati i BE-së që do të kryesojë bisedimet në Pragë, ka thënë se ai kundërshton një ndalim të dhënies së të gjitha vizave për rusët, duke thënë se blloku duhet të jetë “më selektiv”.

Si rrjedhojë, Finlanda, Polonia dhe vendet baltike, të cilat janë në kufi me Rusinë, kanë deklaruar se janë të përgatitura të ndalojnë hyrjen në territorin e tyre për të gjithë rusët me viza turistike, duke përdorur rregullat e përjashtimeve për sigurinë kombëtare që janë pjesë e marrëveshjes së Shengenit.

Në kushtet e pezullimit të udhëtimeve ajrore midis BE-së dhe Rusisë, shumë turistë rusë i përdorin këto vende si një rrugë tranziti për të shkuar në destinacione të tjera të BE-së. Kaja Kallas, kryeministrja e Estonisë, tha javën e kaluar se 30 për qind e rusëve që udhëtojnë në BE kalojnë nëpërmjet këtij shteti baltik.

“Uroj të gjendet një zgjidhje e përbashkët europiane për mënyrën se si do të kufizojmë ndjeshëm flukset e turistëve rusë në Europë”, tha ministri i jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, duke e përshkruar një marrëveshje të mundshme mes 27 vendeve si “më të qëndrueshme dhe ligjërisht korrekte”.

Por, ai shtoi: “Nëse nuk gjendet një zgjidhje e përbashkët, ne nuk përjashtojmë mundësinë e një marrëveshjeje rajonale midis vendeve më të prekura nga flukset e mëdha të turistëve rusë që abuzojnë me mikpritjen europiane”.

Vendet të cilat janë në favor të një ndalimi të plotë të rusëve që vizitojnë BE-në për turizëm kanë thënë se nuk duan një mbyllje të plotë të kufijve dhe se duhet të ketë raste përjashtimore për arsye humanitare, për kërkesat për azil dhe për të lejuar largimin e disidentëve nga regjimi i Putinit.

Ministrat e mbrojtjes të BE-së, të cilët do të takohen në Pragë të hënën, do të diskutojnë gjithashtu opsionet për një mision të mundshëm trajnimi për ushtarët ukrainas, i cili do të drejtohet nga Brukseli.

Qendrat e mundshme të trajnimit, të cilat vijnë pas një nisme të ngjashme të organizuar nga Mbretëria e Bashkuar këtë verë, do të vendosen në vendet e BE-së që janë më afër Ukrainës, tha Borrell javën e kaluar. /monitor

Related posts

Kryetari i Zveçanit shkarkon nga detyra nënkryetaren e Komunës, Slagjana Pantoviq

rezart morina

Donald Trump premton: Nëse zgjidhem president do të publikoj dokumentet për vrasjen e John F Kennedy

admin

OKB: Arsimi në mbarë botën është në krizë të thellë

admin