ashkimi Evropian i është bashkuar Konventës së Stambollit për të luftuar dhunën ndaj grave.
“Pas miratimit nga Parlamenti Evropian muajin e kaluar, vendet e BE-së votuan sot për të ratifikuar Konventën e Këshillit të Evropës”, tha në një deklaratë komisioni i BE-së.
Përpara se konventa të hyjë në fuqi, ajo duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare të BE-së.
Konventa e Stambollit është një kuadër ligjor gjithëpërfshirës që synon mbrojtjen e grave nga të gjitha format e dhunës, përfshirë dhunën në familje.
Me aderimin në konventë, BE-ja në tërësi do të jetë e lidhur me standarde ambicioze ndërkombëtare.
“Evropa është në anën e grave, për t’i mbrojtur ato nga dhuna. Të gjitha gratë dhe vajzat meritojnë një jetë pa dhunë, është koha për drejtësi dhe barazi”, tha presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen në një deklaratë.
“Sot, Bashkimi Evropian po dërgon një sinjal të fortë, ne jemi të vendosur të parandalojmë, dënojmë dhe luftojmë dhunën ndaj grave dhe vajzave në të gjitha format e saj”, shtoi ajo.
Konventa u hartua nga Këshilli i Evropës në vitin 2011. Këshilli i Evropës, i cili nuk është një organ i BE-së, monitoron respektimin e të drejtave të njeriut në 46 shtetet e tij anëtare.
Në maj, Parlamenti Evropian votoi me një shumicë të madhe në favor të pranimit të BE-së në Konventën e Stambollit.
Miratimi i vendeve nënkupton se BE-ja aderon në konventë në lidhje me institucionet e Bashkimit dhe administratën publike, si dhe për çështjet e bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale, azilin dhe moskthimin.
Marrëveshja nuk është ratifikuar ende në disa vende të BE-së, si Bullgaria, Republika Çeke, Hungaria, Letonia, Lituania dhe Sllovakia.
Turqia u tërhoq nga Konventa e Stambollit në vitin 2021. /atsh