RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

BE-ja dënon vendimin e Izraelit për të zgjeruar kontrollin në Bregun Perëndimor

be-ja-denon-vendimin-e-izraelit-per-te-zgjeruar-kontrollin-ne-bregun-perendimor

Bashkimi Evropian dënoi sot miratimin e fundit nga Izraeli të masave që synojnë forcimin e kontrollit në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

“Bashkimi Evropian dënon vendimet e fundit të Kabinetit të Sigurisë së Izraelit për zgjerimin e kontrollit izraelit në Bregun Perëndimor”, tha zëdhënësi Anouar El Anouni gjatë një konference të Komisionit Evropian.

“Ky veprim është një hap tjetër në drejtimin e gabuar, në një kohë kur e gjithë bashkësia ndërkombëtare po bën përpjekje për të zbatuar fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës për Gazën”, shtoi ai.

Ai theksoi se ky vendim do të rrezikojë “status quo-në e ndjeshme të vendeve fetare”.

“Rikujtojmë se aneksimi është i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, prandaj çdo hap konkret i ndërmarrë në atë drejtim do të konsiderohet shkelje e së drejtës ndërkombëtare”, tha El Anouni.

Ai përsëriti gjithashtu “përkushtimin e palëkundur” të bllokut për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë mbi bazën e zgjidhjes me dy shtete.

“Dua gjithashtu të theksoj këtu se situata në Bregun Perëndimor ka qenë nën vëzhgimin tonë, nën vëzhgimin e BE-së për një kohë të gjatë, duke rikujtuar se masat e paraqitura nga presidentja e Komisionit (Ursula) von der Leyen në fjalimin e fundit për Gjendjen e Bashkimit janë ende në tryezë dhe vijnë gjithashtu si pasojë e veprimeve në Bregun Perëndimor që minojnë zbatueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete”, tha El Anouni.

Duke riafirmuar se masat kundër veprimeve izraelite mbeten në tryezë, ai tha se po ndjekin zhvillimet në terren “me vëmendje të madhe”.

Kabineti i Sigurisë së Izraelit të dielën miratoi masa që synojnë ndryshimin e kornizës ligjore dhe civile në Bregun Perëndimor të pushtuar për të forcuar kontrollin izraelit.

Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi se vendimet përfshijnë shfuqizimin e një ligji që ndalon shitjen e tokës palestineze te hebrenjtë në Bregun Perëndimor, hapjen e regjistrave të pronësisë së tokës dhe transferimin e autoritetit për dhënien e lejeve të ndërtimit në një bllok vendbanimesh kolone në Hebron nga komuna palestineze te administrata civile izraelite.

Related posts

Epidemia e gripit gjunjëzon edhe Greqinë! E gjithë bota në alarm, shifra të larta të prekurish në SHBA, Itali dhe Britani, fëmijët dhe të moshuarit më të rrezikuarit

admin

Irani dhe Hezbollahu shënjestrojnë Izraelin me predha dhe raketa

Irfan Jahiu

Escobar: Për herë të parë dëgjuam nga Kosova vizionin për Asociacionin

Muhamet Ramadani