Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Ameriëkës (ShBA) kanë dënuar sulmin ndaj njësiteve policore në Banjskë të Zveçanit, në veriun e banuar me shumicë serbe, raporton Anadolu.
Shefi i politikës së jashtme i BE-së, Josep Borrell, në një reagim zyrtar ka thënë se të gjitha faktet për sulmin duhet të vërtetohen.
“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjska/Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, theksoi Borrell.
Ai tutje tha se më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës, derisa shtoi se “këto sulme duhet të ndalen menjëherë”.
Edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka dënuar ashpër sulmet “e dhunshme dhe të orkestruara” ndaj Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, ka thënë ambasadori Hovenier.
Tutje, Hovenier tha se kryesit e këtyre veprave duhet të mbahen përgjegjës dhe të përballen me drejtësinë.
Rreth orës 3:00 të mëngjesit në Banjskë të Zveçanit një zyrtar policor mbeti i vrarë dhe një tjetër i plagosur pas sulmit të një grupi ndaj njësitit policorë në veri. Pas sulmit ndaj tyre u bë e ditur se zyrtari policor i vrarë ka qenë polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare.
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmet ndaj zyrtarëve policorë në dhe rreth Manastirit në Banjskë të Zveçanit po vazhdojnë ende nga rreth 30 persona të armatosur rëndë.