RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

BE-ja e shqetësuar me disa dispozita të Ligjit të ri për Zyrtarët Publikë

be-ja-e-shqetesuar-me-disa-dispozita-te-ligjit-te-ri-per-zyrtaret-publike

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 58 vota për, asnjë kundër dhe katër abstenime kanë miratuar të enjten në lexim të dytë Projektligjin për Zyrtarët Publikë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka abstenuar për këtë Projektligj, ndërkaq kundër miratimit të këtij kanë dalë PDK, LDK dhe AAK, pasi, sipas tyre ky ligj është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për administratën publike.

E lidhur me Ligjin për Zyrtarët Publikë sot kanë reaguar edhe nga Bashkimi Evropian, duke shprehur shqetësim me disa dispozita të këtij ligji.

“Bashkimi Evropian angazhohet në dialog të vazhdueshëm me autoritetet për të gjitha aspektet e reformës së administratës publike pasi kjo është parakusht kyç për integrimin në BE dhe me rëndësi thelbësore për funksionimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për popullin e Kosovës. BE-ja është gjithashtu partneri kryesor i Kosovës për sa i përket mbështetjes financiare për këto reforma.

Për ta ndihmuar Kosovën të përparojë në rrugën e saj të integrimit në BE në këtë fushë të reformave, BE-ja në bashkëpunim me ekipin e ekspertëve të OBEZH/SIGMA, ka paraqitur në disa raste komente për Projektligjin për zyrtarët publikë dhe për Projektligjin për pagat.

Komentet kishin për qëllim të udhëzojnë në mënyrën më të mirë dhe të mbështesin qeverinë për të siguruar një shërbim civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem transparent të shpërblimit të bazuar në merita, në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, thuhet në reagim.

BE-ja shpreh keqardhje që Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten këto dy ligje pa marrë parasysh komentet e BE-së dhe OBZHE/SIGMA, përkundër zotimeve të MSA-së në këtë fushë.

“Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik përkitazi me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë në mënyrë efektive burimet njerëzore, pasi shton liri të tepruar veprimi në procedurat e rekrutimit, transferimit si dhe në procedurat disiplinore të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të cenueshëm ndaj politizimit.

BE-ja do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet që prekin reformën e administratës publike në Kosovë, do të raportojë për këto çështje në raportet e saj vjetore për Kosovën dhe mund të rivlerësojë ndihmën e saj në këtë fushë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Related posts

Policia kishte raportuar se 18 vjeçari nga Podujeva ishte therur me thikë, IPK nis hetimet

rezart morina

Kinë – Burgim i përjetshëm për një amerikan të akuzuar për spiunazh

admin

Fraksionet rivale në Sudan bien dakord të mbrojnë civilët

rezart morina