BE po bën thirrje për disa pauza humanitare për t’u përballur me “situatën e rëndë” në Gaza, tha shefi i politikës së jashtme të bllokut përpara një takimi të Këshillit të Punëve të Jashtme në Bruksel, raporton Anadolu.
Duke rikujtuar deklaratën e përbashkët të lëshuar nga 27 shtetet e BE-së të dielën, në të cilën blloku u bashkua me thirrjet për “pauza të menjëhershme” në armiqësitë dhe krijimin e korridoreve humanitare në Gaza, Josep Borrell tha: “Po them se në shumës, jo një, por disa pauza”.
“Objektivi është që të krijohen pauza të menjëhershme dhe korridore të reja humanitare për të përballuar situatën e rëndë të njerëzve në Gaza”, tha ai. Ne i kërkojmë Izraelit të tregojë përmbajtje maksimale në mënyrë që të shpëtojë jetë civilësh.
Ai përsëriti se blloku dënon “përdorimin e mburojave njerëzore” nga Hamasi në spitale dhe shtoi: “Por gjithashtu shprehim shqetësimin tonë për situatën e rëndë të spitaleve që po preken rëndë nga bombardimet”.
Shefi i politikës së jashtme shtoi se gjatë takimit nuk do të diskutohet vetëm për situatën në Gaza, por edhe për çështjen e Ukrainës dhe Armeni-Azerbajxhanit.
Izraeli ka kryer sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar më 7 tetor nga Hamasi. Në objektiv të sulmeve izraelite ishin spitalet, shkollat si dhe objekte të tjera strehimore të OKB-së.
Sulmet kanë vrarë mbi 11.000 palestinezë, duke përfshirë më shumë se 8.000 gra dhe fëmijë. Ndërkohë, numri i vdekjeve izraelite është 1.200 pas një rishikimi.
Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një deklaratë të hënën përsëriti thirrjen e tij për armëpushim, duke thënë se “bota nuk mund të qëndrojë e heshtur ndërsa spitalet, të cilat duhet të jenë strehë të sigurta, shndërrohen në skena vdekjeje, shkatërrimi dhe dëshpërimi”.