RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

BE-ja paralajmëron takime të ndara të Lajçakut me Kurtin dhe Vuçiqin për të hënën

be-ja-paralajmeron-takime-te-ndara-te-lajcakut-me-kurtin-dhe-vuciqin-per-te-henen

Burime në Bashkimin Evropian kanë konfirmuar se të hënën priten të realizohen takime të ndara mes kryenegociatorit Miroslav Lajçak me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq. Këto takime pritet t’i shërbejnë ndërmjetësit se si mund të ecet përpara me procesin e dialogut.

Në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës kryenegociatori Miroslav Lajçak do t’i takojë ndaras kryeministrin Albin Kurti e presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se këto takime do t’iu shërbejnë ndërmjetësit për shqyrtimin e hapave të mëtejshëm.

“Kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë në Davos nuk do të takohen në kuadër të dialogut, pasi që takimet e tilla në nivel të lartë gjithmonë duhet t’i ndërmjetësojë përfaqësuesi i lartë Josep Borrell. E ai nuk do të jetë në Davos dhe këtë e kanë konfirmuar burimet e Bashkimit Evropian. Takimet e ndara që do t’i ketë i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, me presidentin e Serbisë dhe me kryeministrin e Kosovës gjithsesi do të shërbejnë për të parë se si mund të vazhdohet tutje procesi i dialogut pasi që ka shqetësime për qëndrimet nga të dyja palët”, ka thënë Palokaj.

E shqetësimet e BE-së lidhur me procesin e dialogut, sipas Palokajt shkaktohen, ndër të tjera, edhe prej letrës së dërguar nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në dhjetor.

“Në njërën anë Serbia kishte dërguar një letër me të cilën bënte të ditur se nuk do t’i zbatojë pikat kryesore të marrëveshjes me çka e ka vënë në pikëpyetje edhe me shkrim zbatimin e marrëveshjes e në anën tjetër edhe Kosova sipas diplomatëve evropianë po heziton të japë një përgjigje të qartë nëse e pranon ose jo draftin për statutin e Asociacionit e Komunave me Shumicë Serbe, prandaj edhe Lajçak pritet të shfrytëzojë këto takime që do t’i ketë në Davos për të parë se si do të shkojë procesi përpara”, është shprehur ai.

Por Bërnabiq, në një editorial të shkruar për “Politico”, ka thënë se dialogu do të jetë “fokusi i madh i qeverisë së re të Serbisë”.

“Vazhdimi i dialogut të normalizimit me Prishtinën do të jetë fokusi i madh këtu, veçanërisht duke marrë parasysh vendimin e fundit të Beogradit që mundëson lirinë e lëvizjes për automjete me targa të lëshuara nga Prishtina”, ka thënë Bërnabiq.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Kurti e Vuçiq janë takuar për herë të fundit në shtatorin e vitit të shkuar në Bruksel.

Ky takim pati përfunduar pa ndonjë rezultat, ndërsa palët e akuzuan njëra-tjetrën për dekonstruktivitet.

Related posts

Rusi, ligjvënësit miratojnë projektligjin që ndalon ndryshimin e gjinisë

admin

Stërvitja me PK-në e EULEX-in, KFOR: U demonstrua aftësi për t’u përgjigjur ndaj skenarëve të ndryshëm

rezart morina

Aktivistët britanikë ngrenë alarmin, burgjet e Anglisë po “pushtohen” nga shqiptarët

admin