Bashkimi Evropian po planifikon t’i mbledhë rreth 140 miliardë euro, duke shfrytëzuar fitimet e papritura të disa kompanive të energjisë për të ndihmuar familjet dhe bizneset të paguajnë faturat e gazit dhe energjisë elektrike, shkroi të mërkurën CNN-i.
Komisioni Evropian ka propozuar më 14 shtator kufizimin e fitimeve të prodhuesve të energjisë elektrike dhe vendosjen e taksave për fitimet e papritura të kompanive të naftës dhe gazit.
Evropa sanksionoi eksportet ruse të naftës dhe qymyrit pas pushtimit të Ukrainës, duke bërë që Moska të kundër-reagojë me ndalim të furnizimit me gaz.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tha të mërkurën se blloku do të kryejë një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse për të shkëputur koston e gazit nga çmimi i energjisë elektrike.
“Është e gabuar të përfitosh nga lufta dhe në shpinë të konsumatorëve”, ka thënë ajo.
Këto propozime të Komisionit duhet të debatohen dhe të miratohen nga vendet anëtare të BE-së.
Propozimi i BE-së është pjesë e një pakete masash për të ndihmuar rajonin të përballojë krizën e energjisë këtë dimër. /koha