RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Policia gjermane akuzohet për racizëm pas përhapjes së një videoje arrestimi

policia-gjermane-akuzohet-per-racizem-pas-perhapjes-se-nje-videoje-arrestimi

Policia gjermane po përballet me kritika të rënda pasi një video që u bë virale tregon një oficer policie duke bërë sharje raciste dhe duke përdorur forcë të tepruar teksa arrestonte një baba përpara fëmijëve të tij të tmerruar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Videoja, e shpërndarë nga një ligjvënës në mediat sociale, tregon dy oficerë policie që shtrin për tokë një burrë në shtëpinë e tij në Berlin, ndërsa fëmijët e tij qajnë dhe gruaja e tij u lutet oficerëve që të mos e lëndojnë bashkëshortin e saj.

 

 

Një nga oficerët e policisë dëgjohet duke i bërtitur gruas: “Kjo është toka ime dhe ti je mysafir këtu”.

Pak më vonë në video, oficeri i thotë familjes emigrante: “Ju jeni këtu në vendin tonë, duhet të silleni sipas ligjeve tona”.

Duke vazhduar kërcënimet e tij, oficeri po ashtu i thotë gruas: “Mbylle gojën, mos më prek më. Ose do të të çoj në burg”.

Duke shpërndarë videon në Twitter, deputeti i Partisë së Majtë Ferat Kocak kritikoi sjelljen e policëve.

“Racizëm në policinë e Berlinit”, shkroi ai në Twitter.

– Policia hap hetim

Policia e Berlinit tha në një deklaratë zyrtare të martën se një hetim ka filluar të premten e kaluar ndaj një oficeri me dyshimin për përdorimin e fyerjeve ksenofobike.

Sipas deklaratës, oficerët e policisë kanë vizituar banesën në mëngjesin e hershëm të 9 shtatorit, duke ndjekur një urdhër arresti për burrin, i cili akuzohej për përfitime me mashtrim.

Burri thuhet se i ka rezistuar arrestimit dhe më pas është shtrirë për tokë nga oficerët. Përveç kësaj, ai ishte në pranga.

Bashkëshortja e të dyshuarit më pas është përpjekur ta shpëtonte burrin e saj nga arrestimi i policisë, por është bllokuar nga policia, thuhet në raport.

Pas ngjarjes, burri dhe gruaja e tij kanë denoncuar punonjësit e policisë për përdorim të tepruar të forcës dhe fyerje ksenofobike. Ata gjithashtu u kanë dhënë autoriteteve video si provë.

Policia e Berlinit tha në një deklaratë se ankesa e çiftit është marrë nga një departament që nuk ishte i përfshirë në arrestim. Ajo shtoi se hetimi është në vazhdim.

Related posts

Polonia rrit presionin ndaj Gjermanisë për të përmbushur kërkesat për dëmshpërblime

admin

Rusia pretendon se ka marrë nën kontroll një tjetër fshat në Ukrainë

RTI

Gërmohen dy lokacione për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

admin