Bashkimi Evropian (BE) ka miratuar zyrtarisht paketën e tetë të sanksioneve të bllokut kundër Rusisë në përgjigje të mobilizimit të pjesshëm dhe aneksimit të rajoneve të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i bllokut evropian, njoftoi se kjo paketë paraqet ndalime të reja të importit në BE me vlerë prej 7 miliardë eurosh, me qëllim për të shtrënguar të ardhurat e Rusisë.
Masat ndalojnë importin e produkteve ruse të gatshme dhe gjysmë të gatshme nga çeliku, si dhe të makinerive dhe pajisjeve, plastikës, automjeteve, tekstileve, këpucëve, lëkurës, qeramikës, produkteve të caktuara kimike dhe të bizhuterive që nuk janë nga ari.
Në njoftimin e Komisionit Evropian theksohet se paketa gjithashtu paraqet kufizime të eksportit të cilat do të “privojnë më tej kompleksin ushtarak dhe industrial të Kremlinit nga komponentët dhe teknologjitë kryesore, si dhe ekonominë e Rusisë nga shërbimet dhe ekspertiza evropiane”.
Sipas rregullave të reja, nuk do të lejohet eksporti i komponentëve të veçantë elektronik që gjendet në armët ruse, artikujve teknik të përdorur në sektorin e aviacionit, si dhe të disa kimikateve.
Masat po ashtu ndalojnë transportin e naftës në vendet jo anëtare të BE-së mbi një kufi çmimi të rëndë dakord nga Grupi Shtatë (G7), respektivisht ekonomitë më të përparuara të botës.
Vendimi prek më së shumti industrinë e transportit detar të Greqisë, administratës së Qipros Greke dhe Maltës.
Paketa e re zgjeron listën e zezë që shënjestron ata që janë përgjegjës për mobilizimin, përfshirë zyrtarë të lartë ushtarak dhe entitete në sektorin e mbrojtjes, si dhe persona të përfshirë në organizimin e referendumeve në rajonet e Ukrainës dhe aneksimin e tyre.
Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës në muajin shkurt, sanksionet e BE-së kanë shënjestruar, ndër të tjerë, presidentin rus, Vladimir Putin, ministrin e Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ndaluan importet e arit, naftës dhe qymyrit rus, si dhe eksportin e mallrave luksoze dhe të teknologjisë së lartë. Në kuadër të sanksioneve, po ashtu edhe bankat ruse dhe bjelloruse u përjashtuan nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT. /aa