Bashkimi Evropian do të japë 30 milionë euro për të luftuar migracionin nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Komisionerja e Bashkimit Europian për çështje të Brendshme, Ylva Johansson, tha se në Ballkanin Perëndimor është rritur numri i emigrantëve të parregullt, të cilët synojnë të hyjnë më pas në vendet e BE-së.
Johansson theksoi se, është rritur me trefish në krahasim me 1 vit më parë numri i emigrantëve të parregullt në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Sigurisht që kemi shumë refugjatë ukrainas, jo vetëm këtu por edhe në Bashkimin Evropian. Tema e sotme kishte të bënte me migrimin e parregullt. Ajo që shikojmë në korridoret e Ballkanit Perëndimor sivjet është 3-fishim i numrit të atyre që kemi parë vitin e shkuar, 10-fish më e lartë se 2019 përpara Covid-19, më shumë se 100 mijë përpjekje ose hyrje të parregullta në BE. Ne duhet të përmirësojmë punën tonë në 4 shtylla kryesore”, theksoi eurokomisionerja përcjell albinfo.ch.
“E para, për të punuar dhe më fort me FRONTEX. Shqipëria ka qenë vendi i parë në rajon që ka nënshkruar me FRONTEX. Javën e shkuar nënshkruam këtë marrëveshje me Maqedoninë e Veriut. Do rinovojmë marrëveshje për të patur personel të FRONTEX edhe në kufijtë ndërmjet vendeve në Ballkan”, tha ajo.
“Së dyti, është linjëzimi i plotë me politikën e vizave të BE. Përse? Sepse në muajt e fundit ne kemi parë që qytetarët që kishin mundësinë e hyrjes pa viza në vendet e Ballkanit Perëndimor, po vijnë në shifra të mëdha në formë të parregullt në Bashkimin Evropian. Po aplikojnë për azil dhe në fakt po tejkalojnë kapacitetet tona të azilit. Në muajt e fundit kemi parë shumë shtetas indianë, po ashtu kubanezë, nga Burundi po ashtu. Është e rëndësishme që të keni të njëjtën politikë vizash si ne, sepse kjo politikë vizash që keni ju po shpërdorohet, po keqpërdoret nga këta emigrantë”, theksoi ajo.
“Shtylla e tretë është një bashkëpunim më i ngushtë për kthimin dhe ripranimin. E katërta, kemi prezantuar një partneritet për luftën kundër kontrabandimit të qenieve njerëzore me 30 milionë euro”, tha eurokomisionerja Johansson.