Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se Shqipëria dhe Turqia janë dy vende mike, partnerë strategjikë dhe aleatë të besueshëm në NATO, transmeton Anadolu.
Presidenti Begaj ka pritur sot shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke, Gjeneral Selcuk Bayraktaroglu.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se gjatë takimit u theksua se Shqipëria dhe Turqia janë aleate në NATO dhe partnerë strategjikë, me marrëdhënie të shkëlqyera politike, ekonomike dhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve u vlerësua nga Presidenti i Republikës si i konsoliduar dhe në nivele shumë të mira. Presidenti shprehu mirënjohje për kontributin e Turqisë në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, përmes mbështetjes në arsimim, trajnim, zhvillim kapaciteteve të mbrojtjes, të emergjencave civile dhe mbështetje mjekësore”, theksohet në njoftim.
Sipas Presidencës së Shqipërisë, ushtarakë të dy vendeve kanë shërbyer së bashku në misione të NATO-s në Afganistan, Detin Egje dhe Kosovë, “duke forcuar më tej bashkëpunimin dhe lidhjet ndërmjet forcave tona të armatosura”.
Sipas njoftimit, Begaj shprehu gjithashtu falënderim për ndihmën e ofruar nga Turqia gjatë tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë COVID-19.
Presidenti Begaj, theksohet në njoftim, vlerësoi gjithashtu kontributin e Turqisë në misionin e KFOR-it “i cili është një faktor kyç për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon”.
Ndërkohë, në një reagim në rrjetet sociale, Begaj ka shkruar se ka mirëpritur sot gjeneralin Bayraktaroglu. “Shqipëria dhe Turqia janë dy vende mike, partnerë strategjikë dhe aleatë të besueshëm në NATO”, ka theksuar Begaj.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, gjenerali Selcuk Bayraktaroglu, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të vendit.

