Dhjetëra mijëra persona kanë dalë të premten në rrugët e Beogradit, për të protestuar nën sloganin “Serbia kundër dhunës”.
Protesta është organizuar nga partitë opozitare të Serbisë.
Arsyeja për organizim të protestës në Beograd është zhgënjimi me reagimin e autoriteteve, pas dy vrasjeve masive që kanë ndodhur në Serbi, në muajin maj, në të cilat janë vrarë 18 persona.
Pas organizimit fillestar, para Parlamentit të Serbisë, protestuesit kanë nisur ecjen nëpër rrugë.
Ata janë dëgjuar duke bërtitur “Vuçiq, dorëhiqu”, dhe “Vuçiq, largohu”.
Siç raporton Radio Evropa e Lirë, thirrjet e njëjta janë dëgjuar edhe përpara objektit të Qeverisë së Serbisë, ku janë mbajtur, po ashtu, protesta.
Një ditë para protestës, në Parlamentin e Serbisë kanë nisur diskutimet për situatën e sigurisë në shtet, dhe shkaqet që kanë çuar në dy vrasjet.
Mbajtja e një seance të tillë ka qenë kërkesë e protestuesve në marshet e kaluara.
Në mesin e kërkesave tjera ka qenë dorëheqja e ministrit të Policisë, Bratislav Gashiq dhe e drejtorit të Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë (BIA), Aleksandar Vulin.
Ata janë duke kërkuar edhe zëvendësimin e trupit rregullativ për mediat elektronike, mbylljen e tabloideve që, sipas tyre, bëjnë thirrje për dhunë, dhe për tërheqjen e frekuencave për televizionet Pink dhe Happy.
Pas tragjedisë që ka ndodhur në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”, Branko Ruzhiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Edukimit.
Më 3 maj, një nxënës 13-vjeçar i ka vrarë tetë nxënës dhe një roje sigurimit, si dhe i ka plagosur gjashtë nxënës tjerë dhe një mësues.
Një vajzë e plagosur, ka vdekur ndërkohë.
Sulmuesi është dërguar në Klinikën e Psikiatrisë për Fëmijë dhe të Rinj, në Beograd.
Një ditë më vonë, më 4 maj, në fshatin Dubona, afër Beogradit, një 21-vjeçar, i ka vrarë tetë persona, dhe i ka plagosur 14 persona tjerë.
Sulmuesi është arrestuar dhe e ka pranuar krimin e kryer.
Pas këtyre akteve, autoritet e kanë rritur prezencën policore në shkolla, dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i dorëzojnë armët e tyre në polici.