Asnjëherë nuk duhet të ndalemi së përhapuri të vërtetën për gjenocidin e kryer ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, tha sot gjatë përvjetorit të përkujtimit në Potoçari, Denis Beqiroviq, anëtar i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, raporton Anadolu.
“Sot, Bosnjë e Hercegovina, si dhe e gjithë bota e qytetëruar, shprehin nderim të thellë për viktimat e gjenocidit të vetëm në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Sot, ne jemi këtu për të thënë se nuk duhet të ndalojmë kurrë përhapjen e së vërtetës për gjenocidin ndaj boshnjakëve. Ne kurrë nuk do të përkulemi para politikës dhe ideologjisë së të keqes, nuk do ta bëjmë as për hir të të vdekurve dhe as për hir të të gjallëve. Është detyrimi ynë i përhershëm njerëzor dhe qytetërues të gjejmë forcën dhe urtësinë për të folur për gjenocidin e kryer. Ne duhet të tregojmë respekt të veçantë për nënat e Srebrenicës. Ato kanë luftuar pa u lodhur dhe me guxim për 28 vjet për të vërtetën dhe drejtësinë. Ato me të vërtetë e meritonin çmimin Nobel për Paqe”, tha Beqiroviq.
Ai gjithashtu theksoi se kultura e kujtesës forcon të vërtetën dhe drejtësinë.
“Me kulturën e kujtesës u kundërvihemi kulturës së gënjeshtrës dhe kulturës së mohimit të krimeve dhe gjenocidit, e vetmja mënyrë për të shëruar shoqërinë nga sëmundja e urrejtjes. Prandaj zgjedhja është e thjeshtë – ose kulturë e kujtesës ose përsëritje e së keqes”, tha Beqiroviq.
Ai kujtoi se gjykatat më të larta të Kombeve të Bashkuara (OKB) dëshmuan se ndaj boshnjakëve ishte kryer gjenocid dhe agresion ndaj shtetit të Bosnjë e Hercegovinës.
“Në vendin tonë nuk ka pasur luftë civile siç donin disa ta paraqisnin. Ai ishte një konflikt i armatosur ndërkombëtar. Kundër vendit tonë janë kryer ndërmarrje të përbashkëta kriminale gjatë të cilave është kryer gjenocidi. Këto janë fakte që nuk mund të mbulohen e as të fshihen”, tha Beqiroviq.
Ai theksoi se OKB-ja kishte pranuar më parë se kishte bërë një gabim ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Srebrenicës.
“Përmes mosveprimit dhe lëshimeve të veta, OKB-ja, sipas pranimit të saj, mban një pjesë të përgjegjësisë për gjenocidin e kryer ndaj boshnjakëve, prandaj sot shtroj publikisht pyetjen: Pse nuk korrigjohen gabimet e bëra? Pse po lejohet hedhja e kripës në plagët e familjeve të viktimave të gjenocidit? Pse nuk sanksionohen ata që mohojnë gjenocidin?”, tha Beqiroviq, duke shtuar:
“Rreziku i përsëritjes së gjenocidit kundër boshnjakëve nuk ka kaluar. Ideologjitë, politikat, mediat, qendrat e mëdha të fuqishme, pretendimet e mëdha shtetërore dhe faktorë të tjerë që çuan në gjenocid ndaj boshnjakëve janë përsëri të pranishme dhe kërcënojnë përsëri. Prandaj në Bosnjë e Hercegovinë duhet të kujdesemi për tre elementë: forcimi i vetëdijes shtetformuese dhe politikës. Pa shtet nuk do të ruajmë asnjë vlerë tjetër. Elementi i dytë është nevoja për unitet rreth çështjeve strategjike shtetërore dhe i treti është forcimi i sistemit të mbrojtjes dhe sigurisë”, tha anëtari i Presidencës së BeH-së.