Emrat e mbi 15,000 fëmijëve të Gazës të vrarë në sulmet izraelite gjatë tetë muajve të fundit u lexuan me zë të lartë në Berlin të shtunën, duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, raporton Anadolu.
Veprimtaria, e organizuar nga tri gra nga Berlini, u zhvillua përpara Neue Wache, monumenti qendror i qytetit. Qindra palë këpucë për fëmijë u vendosën në trotuarin e rrugës Unter den Linden për të tërhequr vëmendjen ndaj vrasjeve masive në Gaza.
Leximi i emrave nga vullnetarë të shumtë filloi në orën 9:00 të mëngjesit me kohën lokale dhe vazhdoi deri në mesnatë.
Duke folur për Anadolu, Michael Barenboim, një violinist hebre dhe profesor në Akademinë Barenboim-Said në Berlin, i cili mori pjesë në lexim, tha se ai beson se është shumë e rëndësishme që të “kthehet mbrapsht njerëzimi” i marrë nga këta fëmijë që u vranë në Gaza, duke i lexuar me zë të lartë emrat e tyre.
“Pra, është gjithashtu e rëndësishme që njerëz të ndryshëm të vijnë këtu dhe të lexojnë emrat. Në këtë mënyrë do të nderohet secili prej më shumë se 15 mijë viktimave”, tha ai.
Nadja Vancouwenberghe, një nga organizatoret e ngjarjes, shpjegoi se ngjarja u përgatit nga tri gra nga Franca që kanë jetuar në Berlin për një kohë të gjatë.
“Ne me të vërtetë donim të shprehnim dhembshurinë dhe zhgënjimin tonë gjithashtu”, tha ajo, duke shtuar se duan të bëjnë diçka nga Gjermania “për të treguar se shumë njerëz në të vërtetë në solidaritet duan të shprehin jo vetëm zemërimin, jo vetëm fjalët politike, por thjesht ndajnë së bashku dhembshurinë bazë njerëzore”.
Duke theksuar heshtjen në Gjermani për sulmet e Izraelit në Gaza, ajo tha: “Një nga motivimet e mëdha që kishim ishte të thyenim heshtjen në Gjermani”.
– Heshtja e mediave gjermane
Vancouwenberghe deklaroi se jo gjithçka është perfekte në Francë, por të paktën ka një larmi mediatike.
“Këtu, është absolutisht uniformitet, paaftësia për të kritikuar ndonjë gjë që ka të bëjë me Izraelin, dhe kjo është e pabesueshme, dhe është kaq e rëndësishme të jesh i dukshëm dhe i dëgjueshëm, sepse njerëzit këtu ose nuk duan ta dinë ose nuk e dinë. Por mediat ua bëjnë të lehtë njerëzve që të mos e dinë sepse nuk po raportojnë për atë që po ndodh. Dhe kjo është kaq e egër dhe ne ishim kaq të tronditur nga kjo”, shprehet ajo.
Vancouwenberghe tha se kur informuan miqtë e tyre gjermanë, ata u befasuan shumë kur panë se shumë prej tyre kurrë nuk donin të merrnin pjesë në një demonstratë politike propalestineze.
Nuk ka nevojë as të diskutohet nëse quhet gjenocid apo jo, tha ajo, duke shpjeguar: “Në fund të fundit, 15.000 fëmijë kanë vdekur”.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Gaza që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Rreth 36.400 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë, dhe mbi 82.000 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Gati tetë muaj pas fillimit të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë shndërruar në rrënoja, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit e urdhëroi atë të ndalonte menjëherë operacionin e tij në Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej.
In Berlin yesterday, protesters arranged children’s shoes and recited the names of over 14,000 children who were killed in Gaza.
They are not numbers, say their names everywhere! pic.twitter.com/cK0eT7pyoJ
— Suppressed News. (@SuppressedNws) June 2, 2024