Operacioni më i fundit në Turqi kundër armiqve të familjes dhe mbarë njerëzimit
Autoritetet turke kanë arrestuar të paktën 47 persona pas një serie bastisjesh në ambientet e shoqatës LGBTQ+ si pjesë e një hetimi për prostitucion dhe sjellje të ndyrë, tha zyra e prokurorit.
Kjo është pjesë e një fushate që qeveria thotë se synon të “mbrojë vlerat familjare”.
Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit tha se operacionet u kryen kundër 38 të dyshuarve në 12 provinca gjatë fundjavës, me 26 të arrestuar, dhe autoritetet sekuestruan drogë, pajisje dixhitale, alkool të kontrabanduar dhe armë zjarri.

Në një deklaratë të veçantë, Zyra e Kryeprokurorit të Ankarasë tha se 21 persona të tjerë ishin ndaluar si pjesë e hetimit ndaj shoqatës LGBTQ+ Kaos GL, dhe se pesë persona ishin ende në kërkim.
Organizata Kaos GL tha se të paktën pesëdhjetë aktivistë ishin ndaluar, përfshirë më shumë se dhjetë që u morën gjatë bastisjeve policore në shtëpitë e tyre. Ata gjithashtu vunë në dukje se autoritetet kanë bllokuar qasjen në dhjetëra faqe interneti dhe llogari në mediat sociale të lidhura me organizatat LGBTQ+, aktivistët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut.
Veprimi i qeverisë, i quajtur “Familja ime është e sigurt”, vjen ndërsa Presidenti Rexhep Tajip Erdogan promovon “Dekada e Familjes dhe Popullsisë” – një iniciativë e hartuar për të adresuar problemet e një niveli në rënie të lindjeve dhe një popullsie në plakje.

Por organizatat e të drejtave të njeriut, e pritshme kjo, kanë akuzuar qeverinë turke se po synon gjithnjë e më shumë komunitetin LGBTQ+ në vitet e fundit përmes ashpërsimit të retorikës dhe futjes së kufizimeve.
“Emri i vërtetë i këtij operacioni nuk është ‘Familja ime është e sigurt’; është diskriminim i imponuar nga shteti, një politikë frike dhe shkatërrimi i shoqërisë civile”, tha Shoqata Turke e të Drejtave të Njeriut në platformën X, sipas Reuters.
Nacho Sanchez Amor, raportuesi i Parlamentit Evropian për Turqinë, e quajti valën e arrestimeve një “përshkallëzim tronditës” të shtypjes.
“Ky imponim i një axhende morale është një shkelje flagrante e të drejtave themelore dhe detyrimeve ndërkombëtare të Turqisë, dhe po e çon vendin në një rrugë të errët”, shkroi Amor në një postim në platformën X.
Por prokurorët thanë se kishte prova të ndikimit të padrejtë mbi fëmijët dhe të miturit në lidhje me çështjet e orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Ministri i Drejtësisë Akin Gurlek tha se hetimet, të koordinuara nga prokurorët në Stamboll, Ankara, Izmir, Aydin dhe Mersin, përfshinin procedura ligjore kundër 162 të dyshuarve, nëntë shoqatave dhe 13 bizneseve në 15 provinca. /tesheshi.com/

