Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy iu drejtua forcave ushtarake në qytetin e sapoçliruar ukrainas Kherson të hënën dhe tha se Ukraina është “gati për paqe. Paqe për të gjithë vendin tonë”.
Vizita e tij në Kherson erdhi vetëm disa ditë pasi forcat ruse u tërhoqën nga qyteti juglindor, një nga humbjet më të mëdha të luftës për Presidentin rus Vladimir Putin, forcat e të cilit kishin kontrolluar kryeqytetin rajonal që nga fillimi i luftës në shkurt.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, duke folur në një konferencë shtypi në Indonezi, e quajti marrjen e Khersonit nga Ukraina “një fitore të rëndësishme” për qeverinë e Kievit.
“Nuk mund të bëj asgjë tjetër përveçse të duartrokas guximin, vendosmërinë dhe kapacitetin e popullit ukrainas dhe ushtrisë ukrainase”, tha Presidenti Biden. “Kanë qenë të mahnitshëm”.
Por ai tha se aleatët perëndimorë që mbështesin Ukrainën nuk do të imponojnë një zgjidhje për Ukrainën për t’i dhënë fund luftës. Ai tha se nuk do të ketë “asgjë për Ukrainën, pa (rënë dakort) Ukraina”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, refuzoi të komentojë vizitën e presidentit ukrainas në Kherson, por tha se “ky territor është pjesë e Federatës Ruse”.
Rusia aneksoi ilegalisht rajonin muajin e kaluar, së bashku me tre territore të tjera të Ukrainës.
Vizita e z. Zelenskyy erdhi pasi drejtuesit e shërbimeve të zbulimit amerikane dhe ruse u takuan të hënën në Turqi në nivelin më të lartë të bisedimeve ballë për ballë, të mbajtura mes dy vendeve që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se drejtori i CIA-s Bill Burns u takua me shefin e zbulimit rus Sergei Naryshkin për të paralajmëruar për pasojat nëse Rusia do të përdorte një armë bërthamore në Ukrainë.
Zyrtari, i cili foli me gazetarët në kushte anonimiteti, tha se bisedimet nuk përfshinin ndonjë diskutim për një zgjidhje për luftën.
Ndër zhvillimet e tjera, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi të hënën një rezolutë që bën thirrje që Rusia të jetë përgjegjëse për sigurimin e zhdëmtimeve për Ukrainën. Votimi ishte 94 me 14, me 73 abstenime.
Megjithëse dokumenti u miratua, ai mori më pak mbështetje sesa një rezolutë e tetorit që dënonte “përpjekjet për aneksimin e paligjshëm” të katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia. Ajo kishte kaluar me 143 vota pro dhe 5 kundër, me 35 abstenime.
Në Hagë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u tha gazetarëve se aftësia ushtarake e Rusisë nuk duhet të nënvlerësohet, pavarësisht sukseseve të fundit të Ukrainës.
“Muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë. Qëllimi i Putinit është ta lërë Ukrainën të ftohtë dhe të errët këtë dimër. Pra, ne duhet të ruajmë kursin”, tha ai gjatë një konference të përbashkët shtypi me zyrtarë të qeverisë holandeze.
Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan u tha gazetarëve të hënën në kushte anonimiteti se forcat ruse që ishin në Kherson janë tërhequr në anën lindore të lumit Dnipro dhe po forcojnë vijën e tyre mbrojtëse atje.
“Është vlerësimi ynë tani se qëllimi i tyre do të jetë të përpiqen të mbahen në atë territor”, tha zyrtari.
Zyrtari tha se marrja e Khersonit nga Ukraina është “shumë domethënëse” strategjikisht, por “meqenëse rusët nuk duken të prirur të largohen nga pjesa tjetër e Ukrainës së pushtuar, padyshim që ka ende luftime të vështira përpara”. /voa