Pavarësisht ngërçit në Kongres, administrata e Joe Biden ripohoi mbështetjen e saj për Ukrainën duke njoftuar ndihmën e re ushtarake për Kievin, ndërsa presidenti amerikan u takua me presidentin dhe kryeministrin polak në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne duhet të veprojmë përpara se të jetë vonë. Sepse Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë”, tha Biden teksa mirëpriti homologun e tij polak Andrei Duda dhe kryeministrin polak Donald Tusk në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne nuk duhet të lejojmë që imperializmi rus të prishë stabilitetin dhe ekzistencën paqësore të Europës”, theksoi ai pas takimit të tij me Dudën.
Ndërkohë, SHBA miratoi një kontratë për t’i shitur pajisje ushtarake Polonisë aleate të NATO-s, e cila i siguron Varshavës raketa ajër-tokë me rreze të gjatë dhe raketa ajër-ajër me rreze të mesme veprimi për 3.5 miliardë dollarë.
Uashingtoni njoftoi 300 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, një shumë shumë më e ulët se ajo që Biden ka kërkuar prej muajsh.
Kjo ndihmë përfshin kryesisht raketa kundërajrore, municione dhe mortaja për artilerinë dhe u përgjigjet “disa nevojave emergjente të Ukrainës”, theksoi Jake Sullivan, këshilltar i presidentit amerikan.
Lufta në Ukrainë ishte në qendër të diskutimeve të Biden me udhëheqësit polakë dje.
Kundërshtarët politikë, presidenti konservator i Polonisë dhe kryeministri i saj pro-BE shprehën një dëshirë për mirëkuptim përpara udhëtimit.
Duda vlerësoi të hënën se vendet anëtare të NATO-s duhet të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake nga 2% në 3% të PBB-së së tyre në mënyrë që të japin “një përgjigje të qartë dhe të guximshme ndaj agresionit rus”.
“Ukrainës nuk i mungon guximi dhe këmbëngulja, i mungojnë municionet. Dhe nuk ka më kohë”, tha shefi i CIA-s, Bill Burns. /abcnews