RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Biden: Ne do të ndihmojmë në mbrojtjen e Izraelit, Irani nuk do të ketë sukses

biden:-ne-do-te-ndihmojme-ne-mbrojtjen-e-izraelit,-irani-nuk-do-te-kete-sukses

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, paralajmëroi Iranin të mos sulmojë Izraelin, mes pritjeve se Teherani së shpejti do të kryejë një hakmarrje për bombardimin e konsullatës në Damask, transmeton Anadolu.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes së Izraelit. Ne do ta mbështesim Izraelin. Ne do të ndihmojmë në mbrojtjen e Izraelit dhe Irani nuk do të ketë sukses”, u tha Biden gazetarëve teksa përfundonte një fjalim virtual për një shoqatë të mbrojtjes së të drejtave civile.

Izraeli është në gatishmëri të lartë mes zotimit publik të Iranit për të sulmuar objektivat izraelite si hakmarrje për sulmin ajror të 1 prillit në objektin e tij diplomatik në kryeqytetin sirian, Damask. Në sulm u vranë të paktën shtatë anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, duke përfshirë dy gjeneralë të lartë.

Irani ka akuzuar Izraelin për kryerjen e sulmit dhe është zotuar të hakmerret. Izraeli, megjithatë, nuk e ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin, por për muaj të tërë ka kryer një numër sulmesh kundër objektivave iraniane në të gjithë Sirinë.

Si Irani, ashtu edhe Hezbollahu, aleati i tij kryesor në Liban, kanë thënë se sulmi nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

I pyetur nga një gazetar se sa i afërt është një sulm iranian, Biden tha se pret që sulmi të ndodh “më shpejt, e jo më vonë”.

Përshkallëzimi vjen teksa Izraeli vazhdon të kryejë një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar në fillim të tetorit nga Hamasi, në të cilin sipas autoriteteve izraelite u vranë rreth 1.200 njerëz.

Më shumë se 33.600 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza dhe mbi 76 mijë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Related posts

Kurti merr pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë

rezart morina

Akuza për gjenocid, nis seanca dëgjimore në Hagë mes Kievit dhe Moskës

rezart morina

“Jemi të interesuar që të vendoset paqja afatgjatë”- Një tjetër vend njeh shtetin palestinez

admin