Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se është arritur “shumë afër” sjelljes së pengjeve në “shtëpi” mes raporteve për përparim në arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e izraelitëve të mbajtur nga grupi palestinez Hamas në Rripin e Gasës, raporton Anadolu.
“Tani jemi shumë afër, shumë afër. Ne mund t’i sjellim pengjet në shtëpi shumë shpejt”, tha Biden në një takim në Shtëpinë e Bardhë.
Duke theksuar se ai së fundmi bisedoi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe me emirin e Katarit, i cili ka ndihmuar në ndërmjetësimin e marrëveshjes, Biden tha se “kur të kemi më shumë për të thënë, do ta bëjmë, por gjërat duket mirë për momentin”.
Komentet e presidentit amerikan vijnë pasi Netanyahu dhe lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, raportuan për përparim në arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e izraelitëve të mbajtur nga Hamasi në Rripin e Gazës.
Gjithashtu disa media amerikane raportuan për një marrëveshje të mundshme të Izraelit dhe Hamasit që do të shpallet sot, për lirimin e 50 grave dhe fëmijëve pengje në këmbim të një pauze katër deri në pesë ditë, si dhe lirimin e tre të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite për çdo peng të liruar.
Besohet se Hamasi mban të paktën 239 izraelitë pas një sulmi ndërkufitar më 7 tetor. Grupi palestinez thotë se është gati të lirojë pengjet në këmbim të mijëra palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.