Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se SHBA-ja “nuk kishte asnjë lidhje” me rebelimin e ndërprerë fundjavën e kaluar nga kompania ushtarake private ruse ‘Wagner’, ku forcat paraushtarake u panë duke lëvizur me shpejtësi drejt Moskës, transmeton Anadolu.
Gjatë një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se grupi ‘Ëagner’ ishte “pjesë e një lufte brenda sistemit rus” midis paraushtarakëve dhe qeverisë ruse.
Presidenti amerikan shtoi se ai u mblodh me aleatët gjatë fundjavës për t’u siguruar se nuk i dhanë presidentit rus, Vladimir Putin, “asnjë justifikim për të fajësuar Perëndimin apo NATO-n për këtë”.
“Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë pasojat e ngjarjeve të kësaj fundjave dhe implikimet për Rusinë dhe Ukrainën. Por ende është shumë herët për të arritur një përfundim definitiv se ku po shkon kjo. Rezultati i gjithë kësaj mbetet për t’u parë, por pa marrë parasysh se çfarë do të vijë më pas, unë do të vazhdoj të sigurohem që aleatët tanë të jenë të lidhur ngushtë në mënyrën se si po interpretojmë dhe reagojmë ndaj situatës. Është e rëndësishme që të qëndrojmë plotësisht të koordinuar”, tha Biden.
Të shtunën, grupi paraushtarak ‘Wagner’ akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë se ka sulmuar luftëtarët e grupit.
Më pas, themeluesi i grupit, Yevgeny Prigozhin, deklaroi një “marshim i drejtësisë” dhe kaloi kufirin nga Ukraina në qytetin rus Rostov-on-Don, ku forcat e tij morën kontrollin e një instalimi ushtarak kritik.
Prigozhin tha se luftëtarët e tij do të shkojnë në Moskë, duke çuar që Kremlini të forcojë sigurinë në rajone të ndryshme të vendit.
Më vonë, ai tha se luftëtarët e tij vendosën të kthehen për të shmangur gjakderdhjen kur ishin 200 kilometra nga Moska, ndërsa presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, tha se ai zhvilloi bisedime me kreun e grupit ‘Wagner’ me pëlqimin e presidentit Putin dhe se Prigozhin pranoi një marrëveshje de-përshkallëzimi.