Presidenti amerikan, Joe Biden, tha më 29 nëntor se sigurimi i fondeve për Ukrianën dhe pandemia COVID-19 janë prioritetet e tij para se republikanët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në fillim të vitit të ardhshëm.
Biden zhvilloi bisedime me liderët demokratë dhe republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit amerikan lidhur me atë se çfarë mund të bëhet në javët që kanë mbetur para se republikanët të marrin kontrollin e Dhomës.
Aktualisht, demokratët kanë kontrollin e dy dhomave të Kongresit amerikan.
Republikanët fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e mesmandatit të mbajtura më 8 nëntor dhe do të marrin kontrollin e kësaj dhome në janar. Marrja e kontrollit të Dhomës komplikon agjendën e Bidenit gjatë dy vjetëve të ardhshëm.
Në zgjedhjet e nëntorit, demokratët e Bidenit arritën të mbanin kontrollin e Senatit.
Biden tha se dhënia e ndihmës më të madhe ushtarake për Ukrainën është prioritet, por edhe financimi i masave për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
Lideri i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, mori pjesë në takimin me Biden. Ai u tha gazetarëve se do të ngrehë pyetje lidhur me financimin e Ukrainës, ndihmë që ka kaluar shifrën prej 18 miliardë dollarësh. Por, ai shtoi se është i gatshëm që të punojë me demokratët nëse ata “kanë vullnet që të vënë nën kontroll shpenzimet tona”.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, pas takimit u tha gazetarëve se demokratët ndoshta duhet të miratojnë planin e shpenzimeve të Qeverisë më 30 shtator. Kjo do të mundësonte që republikanët të mos kenë mundësi të bëjnë shkurtime në buxhet.
Biden po ashtu tha se financimi i Qeverisë përtej 16 dhjetorit, për të shmangur mbylljen, është lart në agjendën e tij.
Përveç McCarthyt dhe Pelosit, në takimin me Biden ishin të pranishëm edhe lideri i Senatit, Chuck Schumer dhe lideri republikan në Senat, Mitch McConnell. /rel
Tune in as I discuss how our economic plan is leading a manufacturing boom in Michigan and across America. https://t.co/HltsWKXkOV
— President Biden (@POTUS) November 29, 2022