RTV AHIRETI
EkonomiFeaturedKosovëLajmeLajmet

Bizneset në krizë për punëtorë – qytetarët në kërkim të punës

bizneset-ne-krize-per-punetore-–-qytetaret-ne-kerkim-te-punes

Në muajin mars të këtij viti, rreth 4 mijë të rinj të moshës 15 deri në 24-vjeç kanë kërkuar punë.

Prej tyre 1 mijë e 915 janë të gjinisë femërore, ndërsa 1 mijë e 748 të gjinisë mashkullore.

Sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, kjo shifër është shumë më e lartë, pasi punëkërkuesit kanë humbur besimin në institucionet e Kosovës.

“Numri i papunësisë në Kosovë është shumë më i madh sesa paraqitet nga ASK-ja,papunësia është shumë më e madhe sesa ajo që paraqitet. Prandaj, edhe të rinjtë e Kosovës kanë humbur besimin në institucione dhe nuk kërkojnë punë përmes zyrës së punësimit dhe nuk regjistrohen që janë të papunë. Numri i të paregjistruarve është trefishi i të regjistruarve. Nëse janë mbi 100 mijë që kërkojnë punë, ne vlerësojmë që janë 250-300 mijë punëtore të aftë për punë nga 15 deri në moshën 65 vjeçare dhe kjo është një fuqi punëtore e pa angazhuar askund”, tha ai për Teve1.info.

Shahini theksoi se më lëvizjen e lirë të qytetarëve në janar të 2024, mbi 150 mijë të rinj mund ta lëshojnë vendin.

“Liberalizimi i vizave është rrezik potencial që në vitin 2024 të ikin mbi 150 mijë punëtorë, të cilët dalin për të kërkuar një jetë dhe standard më të mirë. Në anën tjetër, Kosovës do t’i ulët edhe konsumi edhe rritja ekonomike”, tha ai.

Shahini theksoi se bizneset çdo ditë janë duke ofruar kushtet më të mira, por që kërkesat në treg kanë ndryshuar.

“Bizneset në Kosovë çdo ditë e më tepër janë duke i afruar kushtet më të mira punëtorëve dhe kjo është kërkesa jonë që çdo herë iu bëjmë bizneseve. Trajnimet dhe shkollat profesionale duhet që të angazhohen më tepër në krijimin e kuadrave të ri, pasi tashmë natyra e punës ka ndryshuar dhe çdo biznes kërkon punëtore sa më të kualifikuar, p.sh., sektori i IT-s. Po ashtu, universitete duhet që të ngritin cilësinë dhe të prodhojnë kuadra dhe jo të japin vetëm diploma, pra të dalin student të aftë nga ajo fusha”, theksoi ai.

Kryetari i AKB-së thotë që profesionet që janë duke u kërkuar më së shumti janë, ajo e fushës së informatikës, financave, si dhe menaxhimit, derisa shton se këto profile do të kërkohen gjithmonë dhe mundësitë për punësim do të ketë gjithmonë.

Ndërsa, ekonomisti, Lulezim Beqiri për Teve1.info tha se kompanitë kosovare e kanë mundësinë e fundit që t’i përmirësojnë kushtet e punës.

“Kompanitë kosovare e kanë trenin e fundit për përmirësimin e kushteve të punëtoreve, respektimin e orarit te punës, deklarimi në ATK, pagesa e orëve shtese pagesa e ditëve te festes, respektimi i pushimit vjetor. Kjo pasi punëtorët janë keqtrajtuar deri më tani dhe po zgjedhin perëndimin për një jetë më të mirë”, tha ai.

Ai tha se pagat duhet rritur që të mos vjen deri të mbyllja e bizneseve – në mungesë të fuqisë punëtore.

“Ende ka punëtor qe paguhen 170 euro në muaj pastaj 250 e tutje, me një inflacion deri në 20% kush ja del me mbijetua në këtë kaos me çmime, prandaj ka ardh koha e dinjitetit të punëtorit, bizneset duhet të paguajnë më shumë në mënyre që mos të vjen situata qe duhet mbyllur biznesin si mungesë e fuqisë punëtore”, ka shtuar Beqiri.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, ka thënë se Qeveria e Kosovës po i trajton punëtorët e sektorit privat si skllevër.

Azemi, ka thënë se është krijuar një bindje që Inspektorati i Punës, me pronarë të kompanive dhe me pushtetin, janë një trekëndësh të lidhur mes veti, ku e gjithë barrën po e paguajnë punëtorët e sektorit privat.

“Këtë e kemi thënë dhe po dhurojmë argumente të mjaftueshme, ne kemi punëtorë që paguhet me 170 euro, dhe këto me këtë shumë iu hiqen edhe kontributet që kanë, ku shpeshherë bien në 155 euro. Pse themi skllevër, sepse ne kemi Inspektoratin e Punës, i cili e mbikëqyrë këtë natyrë të punës dhe në momentin që ata nuk reflektojnë, ne jemi të vetëdijshëm që më 20-30 inspektorë nuk kryhet e gjithë natyra e punës në këtë vazhdë që ne po e kërkojmë, por mos të kemi sinjale të vogla pozitive. Ne kemi krijuar një bindje, edhe në të kaluarën edhe tashmë, që Inspektorati i Punës me pronarë të kompanive dhe me pushtetin janë një trekëndësh të lidhur mes veti dhe gjithë këtë barrë po e paguajmë ne”, tha Azemi në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Sipas, Agjencisë së Statistikave të Kosovë, në tremujorin e parë të vitit 2022 shkalla e papunësisë në Kosovë ishte 16.6 për qind. Numri, ndonëse ende i lartë në krahasim me vendet e tjera, është një rënie nga tremujori i parë i vitit 2021, kur shkalla e papunësisë ishte 25.8 për qind.

Gratë, vazhdojnë të kenë shkallën më të lartë të papunësisë (18.9 për qind) krahasuar me meshkujt (15.6 për qind). Nga ana tjetër, grupmosha 15-24 vjeç ka përqindjen më të lartë të papunësisë me 31.4 për qind. /Albina Koca/

Related posts

Prokuroria jep detaje rreth përleshjes në “Bon Vivant”: 7 të plagosur nga arma e zjarrit

rezart morina

Një muaj nga vrasja e Liridona Ademajt, vëllai del me një reagim publik

admin6

Punonjësit e rrjetit elektrik francez në grevë për paga më të larta

admin