Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev përmes një bisede telefonike diskutuan për situatën në Karabak, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Presidenca e Azerbajxhanit thuhet se Blinken telefonoi presidentin Aliyev dhe se në bisedë shkëmbyen mendimet lidhur me situatën aktuale në Karabak të Azerbajxhanit pas operacionit antiterrorist të ndërmarrë kundër forcave të armatosura të Armenisë.
Në bisedë Aliyev njoftoi se në operacionin e plotësuar në një periudhë të shkurtër në më pak se 24 orë u vendosën në objektiv vetëm objektet ushtarake dhe se popullata civile nuk u dëmtua. “Forcat e armatosura të paligjshme armene u çarmatosën dhe u nxorën nga territoret e Azerbajxhanit”, tha Aliyev duke rikujtuar se në 5 ditët e fundit janë konfiskuar qindra pajisje ushtarake si dhe armë e municione.
Ai potencoi se përfaqësuesit e misioneve të huaja në Azerbajxhan dhe përfaqësuesi i Koordinimit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë inspektuar në vend armët e konfiskuara.
“Në kuadër të ligjeve të vendit dhe përgjegjësive ndërkombëtare, për armenët që jetojnë në Karabak janë kryer punime me qëllim për të garantuar të drejtat ashtu si minoritetet e tjera në vend”, tha Aliyev i cili shtoi se mes zyrtarëve shtetërorë të Azerbajxhanit dhe përfaqësuesve të popullatës armene janë zhvilluar negociata për integrim. Ai tha se për banorët armenë janë dërguar ndihma humanitare nga shteti dhe se është riparuar infrastruktura në rajon.
Presidenti azerbajxhanas, Aliyev tha se për sigurimin e ndihmave ndaj banorëve armenë është zhvilluar bashkëpunim me Komitetin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar (ICRC) dhe se janë të gatshëm që në një periudhë të afërt të organizojnë vizitën e përfaqësuesit të Koordinimit të Përhershëm të OKB-së në rajon.
Blinken ka shprehur shqetësimin e tij për situatën dhe ka thënë se është e rëndësishme që në rajon të sigurohet stabiliteti dhe të zhvillohet dialog me armenët lokalë.