RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Blinken i bën thirrje Hamasit të pranojë “propozimin shumë të fortë” për armëpushim

blinken-i-ben-thirrje-hamasit-te-pranoje-“propozimin-shume-te-forte”-per-armepushim

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar nga grupi palestinez Hamas të pranojë propozimin për marrëveshjen e armëpushimit me Izraelin, transmeton Anadolu.

Duke folur me familjarët e pengjeve izraelite të mbajtur në Gaza pas takimit të tij me presidentin izraelit, Isaac Herzog, sekretari amerikan tha se “ka një propozim shumë të fortë në tryezë tani dhe Hamasi duhet të thotë po”.

Blinken u tha familjarëve të pengjeve se administrata amerikane “nuk do të pushojë derisa të gjithë të kthehen në shtëpi”.

Grupi Hamas ende nuk ka komentuar mbi deklaratën e sekretarit amerikan.

Më herët, Blinken u takua me presidentin Herzog dhe tha se administrata amerikane është e “vendosur” për të arritur një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit.

Nëse nuk do të arrihet një marrëveshje armëpushimi, sipas tij, fajtor do të ishte Hamasi.

“Dhe, e vetmja arsye që kjo nuk do të arrihet është për shkak të Hamasit”, tha ai.

Shefi i diplomacisë amerikane mbërriti në Izrael dje në ndalesën e tij të tretë, pas Arabisë Saudite dhe Jordanisë, në kuadër të turneut të tij rajonal për bisedime për të arritur një armëpushim në Gaza.

Hamasi, i cili besohet se mban rreth 130 pengje izraelite, kërkon dhënien fund të ofensivës së vazhdueshme të Izraelit në Gaza në këmbim të ndonjë marrëveshjeje të mundshme me Tel Avivin.

Një marrëveshje e mëparshme në muajin nëntor çoi në lirimin e 81 izraelitëve dhe 24 të huajve në këmbim të 240 palestinezëve, prej të cilëve 71 gra dhe 169 fëmijë.

Izraeli ka kryer një ofensivë ushtarake në Gaza që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, që sipas Tel Avivit vrau afër 1.200 njerëz.

Që atëherë, të paktën 34.500 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mijëra të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave.

Më shumë se gjashtë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, sipas OKB-së, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte të gjenocidit dhe të marrin masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Related posts

Sfida e parë e kryetarëve të rinj në veri po cilësohet qasja në objektet komunale

rezart morina

Rritja e rasteve me COVID-19, ministria thotë se nuk pritet ashpërsim i masave

admin

KFOR-i mirëpret vendimin e institucioneve në Kosovë për të reduktuar praninë policore në veri

admin