RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Blinken viziton Pekinin mes tensioneve të larta

blinken-viziton-pekinin-mes-tensioneve-te-larta

Pas mosmarrëveshjeve diplomatike midis Uashingtonit dhe Pekinit, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të vizitojë Kinën në fund të javës, njoftoi sot Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

“Blinken do të vizitojë gjithashtu Londrën, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës, që synon mobilizimin e mbështetjes ndërkombëtare nga sektori publik dhe privat për Ukrainën, për të ndihmuar në rimëkëmbjen e vendit mes sulmeve brutale dhe të vazhdueshme të Rusisë”, thuhet në deklaratë.

Kryediplomati amerikan do të takohet gjithashtu me homologët e tij nga Britania e Madhe, Ukraina dhe partnerë dhe aleatë të tjerë, në Londër.

Blinken do të niset në Pekin të premten, pas anulimit të një udhëtimi të planifikuar prej kohësh, për shkak të akuzave për spiunazh kundër Kinës, të nxitura nga një balonë e spiunazhit që fluturonte mbi vend.

“Blinken do të takohet me përfaqësues të rangut të lartë të qeverisë kineze, në Pekin”, tha zyra e tij.

Një nga qëllimet e vizitës së tij është ruajtja e komunikimit mes dy vendeve për të menaxhuar marrëdhëniet me përgjegjësi.

“Blinken do të trajtojë gjithashtu shqetësimet dypalëshe, çështjet globale dhe rajonale dhe fushat e mundshme të bashkëpunimit”, sipas DASH.

Përpara njoftimit, Blinken zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij kinez, Qin Gang.

Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës kanë qenë gjithnjë e më të tensionuara muajt e fundit.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden e sheh Kinën si sfidën më të madhe gjeopolitike dhe po ndjek një drejtim të ashpër me Pekinin. /atsh

Related posts

Erdoğan: Historia e pasur ndihet në çdo pjesë të Turqisë – VIDEO

admin

Zgjedhjet presidenciale në SHBA, Trump kryeson sondazhet pavarësisht problemeve ligjore

rezart morina

Afrika e Jugut paralajmëron arrestimin e qytetarëve të saj që janë futur në radhët e ushtrisë izraelite

admin6