Komisioni i bllokut të Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Qendrore (ECCAS) pezulloi anëtarësimin e Gabonit të hënën pas grushtit të shtetit ushtarak të javës së kaluar, raporton Anadolu.
Udhëheqësit e bllokut rajonal njoftuan vendimin pasi mbledhjes së samitit të jashtëzakonshëm në Guinenë Ekuatoriale fqinje për të diskutuar situatën politike dhe të sigurisë në Gabon.
Krerët e shteteve dhe qeverive “dënuan përdorimin e forcës për të zgjidhur konfliktet politike në Gabon dhe pezulluan vendin”, u tha gazetarëve pas takimit ministri i Jashtëm i Angolës, Tete Antonio.
Udhëheqësit urdhëruan gjithashtu transferimin e menjëhershëm të përkohshëm të selisë së ECCAS-it nga kryeqyteti gabonez Libreville në kryeqytetin e Guinesë Ekuatoriale Malabo dhe “i dhanë një afat kohor prej një viti qeverisë kalimtare për të organizuar zgjedhjet”.
Në shkurt, presidenti i rrëzuar Ali Bongo kishte marrë kryesimin njëvjeçar të radhës të bllokut.
Në samitin e së hënës, presidenti i Guinesë Ekuatoriale Teodoro Obiang Nguema Mbasogo, i cili ishte zëvendëskryetar, mori kryesimin e bllokut.
Nguema Mbasogo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe rajonal që të “mbështesë popullin gabonez në këtë kohë të vështirë, t’i kthehet rendit kushtetues dhe funksionimit të të gjitha organeve të vendit”.
Në samit morën pjesë presidentët Nguema Mbasogo, Denis Sassou Nguesso i Republikës së Kongos, Joao Lourenco i Angolës dhe Faustin-Archange Touadera i Republikës së Afrikës Qendrore, si dhe kryeministri i Sao Tomes dhe Principes Patrice Trovoada dhe përfaqësuesi i Presidentit të Kamerunit Paul Biya.
Një grup oficerësh të lartë të ushtrisë gaboneze u shfaqën në televizionin kombëtar të mërkurën e kaluar dhe njoftuan se kishin marrë pushtetin dhe e kishin vënë Bongon në arrest shtëpiak.
Lëvizja erdhi menjëherë pasi Komisioni Zgjedhor i Gabonit konfirmoi se presidenti aktual Bongo kishte fituar zyrtarisht një mandat të tretë si president me 64,27 për qind të votave.
Gjenerali Brice Oligui Nguema, ish-komandant i Gardës Republikane, u betua të hënën si president kalimtar i Gabonit.