Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Josep Borell, tha sot nga Shkupi se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj është brenda Bashkimit Evropian dhe se vetëm së bashku jemi të fortë për të përballuar vështirësitë e mjedisit gjeostrategjik në të cilin ndodhemi. Borell foli në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e vendit Dimitar Kovaçevski dhe ambasadorin evropian për zgjerim Oliver Varhei pas takimit të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim me BE-në në Shkup.
“Fakti që ne po e mbajmë këtë Këshill sot këtu është një shenjë e qartë se BE-ja po ju afrohet dhe ju tregon se Ballkani Perëndimor është dhe do të vazhdojë të jetë një prioritet kyç për BE-në dhe një pjesë e rëndësishme e dimensionit tonë gjeopolitik”.
Oliver Varhei, komisari evropian për Zgjerim theksoi gjithashtu se është e rëndësishme që shteti të mos ngadalësojë, por të shpejtojë punën e tij në reforma. Ai paralajmëroi një përshpejtim të ritmit të punës për anëtarësimin e vendit në BE, por theksoi gjithashtu se si Qeveria ashtu edhe Parlamenti duhet të përshpejtojnë punën për reformat.
“Këtu bëjmë një analizë të plotë të sistemit ligjor të vendit kandidat dhe në bazë të kësaj mund të negociojmë detajet e kushteve të hyrjes. Tani është e rëndësishme që shteti të mos ngadalësojë, por të përshpejtojë punën e tij për zbatimin e reformave, të cilat janë në interes të qytetarëve të tij. Ne kemi nevojë për unitet kombëtar që anëtarësimi të ecë përpara”.
Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski tha se Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ai në periudhën e ardhshme do të bëjnë të gjitha përpjekjet për realizimin me sukses të të gjitha aktiviteteve të nevojshme për të dinamizuar më tej procesin e anëtarësimit në BE.
“Sot, me partnerët tanë evropianë, patëm mundësinë të bëjmë një pasqyrë të situatës, të përcaktojmë progresin e bërë në vend, si dhe reformat e zbatuara në përgatitje për anëtarësimin tonë në Union. Mund të them plotësisht dhe me përgjegjësi se kemi mbështetjen e plotë të BE-së me një përkushtim të qartë për sukses në hapin tonë të ardhshëm në procesin e integrimit evropian për një proces dinamik negociues dhe për anëtarësim të plotë në BE”.
Sipas kryeministrit, në takim është mirëpritur fokusi ynë i fortë në reformat dhe harmonizimin e ligjeve dhe praktikave me standardet evropiane, si dhe politikat e fqinjësisë së mirë që ne i udhëheqim.