Në dialogun për Kosovën të përfshihet statusi i boshnjakëve dhe i shqiptarëve në Serbi, ka kërkuar kreu i SDA-së Sanxhak, Sulejman Ugljanin.
Kryetari i SDA Sanxhak, Sulejman Ugljanin, ka thënë se kjo parti u ka dërguar kërkesë Aleksandar Vuçiqit, Albin Kurtit, ShBA-së dhe BE-së që në dialogun për Kosovën të përfshihet statusi i boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi.
Ugljanin tha në konferencë për media se kjo parti parlamentare propozon të miratohet një model unik gjatë dialogut për zgjidhjen e statusit të boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi, si dhe e serbëve, boshnjakëve dhe popujve të tjerë në Kosovë.
“Konkretisht, sipas standardeve ndërkombëtare, sipas Rezolutës 1985 të Këshillit të Evropës, e cila përcakton qartë gjendjen dhe të drejtat e pakicave në Evropë. Me këtë letër, ne kemi kërkuar para së gjithash që presidenti i Serbisë të ndërmarrë një hap strategjik, të ecim përpara dhe të mundësojmë realizimin e të drejtave të boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi sipas standardeve më të larta, në mënyrë që të kemi të drejtë dhe legjitimitet të kërkojmë të njëjtën gjë për bashkatdhetarët tanë, serbëbdhe boshnjakë, në Kosovë”, tha Ugljanin.
Ai shtoi se është një propozim strategjik dhe një kontribut për përmirësimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen më të shpejtë të çështjes së Kosovës.
“Sa më shumë që Serbia t’u japë shqiptarëve dhe boshnjakëve, do të ketë të drejtë legjitime t’ua kërkojë serbëve në Kosovë”, përfundoi Ugljanin.
Në konferencë u tha se Albin Kurti i ka përkrahur këto kërkesa dhe se pritet përgjigje nga kryesia e Serbisë. Gjithashtu, u tha se deputetët e SDA-së kanë zhvilluar takime me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare ku kanë diskutuar për kërkesat e boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi.