Boshnjaku Enver Beganoviq, i cili është nisur nga qyteti Wels në veri të Austrisë, do të ecë gjithsej 6.600 kilometra deri në Mekë për të kryer haxhin.
Ai dje është parë në Mitrovicë tek artisti Ferki Shala ku me këtë rast një qytetarë është pritur dhe fotografuar me të.
52-vjeçari Beganoviq i cili prej një kohe të gjatë jeton në Austri në një prononcim për (AA) shpjegoi udhëtimin e tij për në haxh.
“Për të mbërritur në Mekë kam përllogaritur se më nevojiten gjithsej të paktën 7 muaj dhe 7 ditë”, tha Beganoviq i cili bëri të ditur se moti i ftohtë dhe reshjet e borës nuk e ndikojnë atë dhe udhëtimin e tij.
“Për udhëtimin jam përgatitur 6 muaj. Eci 35 deri në 60 kilometra rrugë në varësi të kushteve të motit”, shtoi Beganoviq.
Duke bërë të ditur se synon që të mbërrijë në Mekë deri më 15 qershor, Beganoviq u shpreh: “Më dukej sikur isha larguar nga feja. Kjo ndjenjë me ka frymëzuar që të ndërmarr këtë udhëtim. Kisha nevojë për të qëndruar me veten. Mendova se më duhet të rishikoja jetën time”.
Beganoviq tha se mendon se kushtet e sotme të jetesës u imponohen njerëzve. “Familja më ka mësuar që t‘i besoj Allahut dhe që t’i lutem Atij. Duhet të jem mirënjohës gjithmonë dhe në çdo situatë”, tha ai.
Duke thënë se në Austri ka bashkëshorten dhe 4 fëmijët e tij, Beganoviq tha: “Në pjesën e udhëtimit tim që kam kryer deri më tani kam marrë reagime jashtëzakonisht të bukura”.
Ai theksoi se nga këtu do të vazhdojë udhëtimin e tij drejt Maqedonisë së Veriut dhe se do të ecë gjithsej 6.600 kilometra rrugë për të mbërritur në Mekë. /rtvbesa