RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Bosnje-Hercegovinë: Vend kandidat i BE falë gjeopolitikës

bosnje-hercegovine:-vend-kandidat-i-be-fale-gjeopolitikes

Bosnje-Hercegovina pret prej vitesh që të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Tani BE për arsye gjeopolitike dha dritën e gjelbër. Cili është qëndrimi i politikanëve gjermanë?

Ka një kohë të gjatë që në politikën europiane, Bosnje-Hercegovina nuk luan më ndonjë rol. Tmerri i luftës së Bosnjes dhe gjenocidi në Srebrenicë janë harruar në masë të madhe dhe zbehur. Ky vend ndodhet prej kohësh në një paralizë politike, kartelet politike etno-nacionaliste të tre etnive, boshnjake, serbe dhe kroate pengojnë gati të gjitha reformat, njerëzit e braktisin vendin me shumicë. Në këto kushte as nuk mendohej më për integrimin europian sipas premtimit të para dy dekadave.

Por tani B-H është vend kandidat i BE. Në samitin e Brukselit, krerët e shteteve dhe qeverive europiane vendosën për këtë, gjashtë vjet pas ky vend aplikoi për anëtarësimin në BE, por nuk zbatoi asnjë nga reformat e kërkuara. Megjithatë pa asnjë dallim politikanët gjermanë e vlerësojnë pozitivisht këtë vendim, “si një sinjal shumë pozitiv për njerëzit në Bosnje-Hercegovinë” dhe një hap “që duhej të bëhej prej kohësh”. DW iu drejtua me pyetje ndër të tjera Boris Mijatovic (Të Gjelbrit), Adis Ahmetovic dhe Jasmina Hostert (SPD) si edhe Thomas Hackerit (FDP) – katër politikanë që angazhohen për këtë rajon.
Arsye gjeopolitike

Asnjë nga politikanët nuk është i mendimit se dhënia e statusit kandidat është rezultat i progresit të zhvillimit institucional dhe demokratik të këtij vendi. Si arsye shikohet dimensioni gjeopolitik dhe shqetësimi për stabilitetin dhe sigurinë në Europë. “Lufta agresore kundër së drejtës ndërkombëtare që nisi Rusia në Ukrainë ka sjellë dinamika të reja në politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit në BE, të cilat pa këtë luftë nuk do të kishin këtë ritëm”, thotë Thomas Hacker, raportues i FDP-së për vendet e Ballkanit. “Tek kjo dinamikë bën pjesë pa dyshim edhe statusi i vendit kandidat për Bosnje-Hercegovinën.”

Edhe politikani i gjelbër, Boris Mijatovis është i mendimit se “kemi të bëjmë me një situatë gjeopolitike serioze, që u krijua dhe ashpërsua pas sulmit të Federatës Rusë ndaj një fqinji sovran.” Nëse BE nuk e bën realitet premtimin e saj, atëherë boshllëku do të mbushet nga vende të tjera si “Rusia, Kina apo të tjerë”, tha Mijatovic për DW. Deputeti socialdemokrat i Bundestagut, Adis Ahmetovic thotë se Ballkani Perëndimor duhet të “konsiderohet një rajon me rëndësi gjeopolitike dhe integrimi në BE duhet të çohet përpara.” Ahmetovic paralajmëron, se Ballkani nuk duhet të bëhet një portë e hapur për konfliktin tjetër në Europë.

Motivim për politikën e brendshme

Në të njëjtën kohë dhënia e statusit kandidat mund të kthehet në një impuls të madh për të zhvilluar më tej demokracinë dhe shtetin ligjor në vend, theksojnë politikanët gjermanë. “Lidershipi politik i vendit duhet ta përdorë këtë vendim tani për të zbatuar reformat e nevojshme”, thekson politikani liberal, Thomas Hacker. “Statusi i vendit kandidat duhet të bëhet motivim për përpjekje edhe më të mëdha.”

Këtë e shpreson edhe Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, Christian Schmidt. Për DW ai tha se “ky është një shans unik për Bosnje-Hercegovinën. Statusi kandidat është një hap vendimtar për afrimin me BE dhe një të ardhme si vend anëtar i BE.” Por Schmidt paralajmëron, se ky vend duhet të jetësojë premtimin për t’u kthyer në një vend multietnik prosperues dhe të sigurtë për të gjithë shtetasit e vet. Politikani gjerman i CSU, Schmidt premton një angazhim më të madh të BE. Edhe deputetja e Bundestagut, socialdemokratja Jasmina Hostert është e mendimit që BE duhet të angazhohet më shumë në Bosnje-Hercegovinë. “Përpjekjet për reforma merren në konsideratë nga BE dhe ajo e mbështet Bosnje-Hercegovinën në tejkalimin e krizave që kemi në Europë.” Por tani është koha që fjalët të bëhen vepra. “Pas 20 vitesh perspektivë është koha për më shumë se hapja e një horizonti.”

Related posts

BE ndan 160 milionë euro për Ukrainën nga pasuritë e bllokuara ruse, Von der Leyen: Paketa përfshinë ndihma humanitare dhe të ardhura për rindërtim

admin

“Dhuna duhet të marrë fund tani”: OKB-ja bën thirrje për t’u dhënë fund sulmeve në spitale

admin

Reagime në Kosovë nga pozita e opozita pas shpërthimit në Stamboll

admin