RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Reagime në Kosovë nga pozita e opozita pas shpërthimit në Stamboll

reagime-ne-kosove-nga-pozita-e-opozita-pas-shperthimit-ne-stamboll

Zyrtarë institucionalë e kryetarë të partive politike në Kosovë kanë reaguar pas shpërthimit vdekjeprurës në Stamboll.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave që humbën jetën në shpërthimin e sotëm në Stamboll.

“Më trishtim morëm lajmin për humbjen e jetëve të pafajshme të disa personave dhe plagosjen e shumë të tjerëve si pasojë e shpërthimit të sotshëm në Stamboll. Ndajmë dhimbjen e madhe me familjet e viktimave dhe lutemi për shërim sa më të shpejtë të lënduarve”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

“Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet, popullin turk, Asamblenë e Madhe Kombëtare dhe Presidentin e Turqisë”, ka shtuar ai.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur i tronditur nga shpërthimi i sotëm në Stamboll.

Ai shprehu ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa shpreson që përgjegjësit e këtij akti terrorist të dalin sa më shpejt para drejtësisë.

”Jam i pikëlluar dhe i tronditur nga shpërthimi i sotëm në Stamboll që la disa të vdekur dhe dhjetëra të lënduar. Në këto momente të vështira, ndajmë dhembjen me institucionet e Republikës së Turqisë dhe popullin mik turk.

Familjeve të viktimave u shpreh ngushëllimet e mia të thella dhe për të lënduarit uroj shërim sa më të shpejtë. Shpresoj që përgjegjësit e këtij akti terrorist të gjenden e të dalin para drejtësisë sa më parë”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në reagimin pas shpërthimit në Stamboll, ka thënë se aktet e tilla qyqare na kujtojnë edhe njëherë që bota duhet të jetë bashkë, e demokratizuar dhe e zëshme kundër dhunës dhe terrorit.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se ndihet i tronditur nga shpërthimi i së dielës në Stamboll, ku të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe mbi 50 të tjerë u plagosën.

“Lutemi për viktimat, të lënduarit dhe familjet e tyre. Qëndrojmë pranë Turqisë në këtë ditë të kobshme”, u shpreh Haradinaj.

Tash për tash nuk dihet shkaku i shpërthimit, por autoritetet turke dyshojnë se ai mund të ishte shkaktuar nga një grua.

Kujtojmë se në shpërthimin e së dielës në Stamboll, gjashtë persona humbën jetën dhe 53 të tjerë u lënduan.

Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, nga ana tjetër iu shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe tha se akte të tilla të shëmtuara duhet të ndalen.

Ai theksoi se ata që qëndrojnë prapa duhet ta marrin dënimin e merituar.

“Ngushëllime familjeve të viktimave nga sulmi i sotëm terrorist në Stamboll. Akte të tilla të shëmtuara duhet të ndalen dhe ata që qëndrojnë prapa tyre duhet të marrin dënimin e merituar. Solidarizohemi me popullin mik të Turqisë në dënimin e sulmit dhe lutemi me ta për familjet e viktimave”, tha Hoti.

Related posts

Corbyn nga Mbretëria e Bashkuar bashkohet me delegacionin e Afrikës së Jugut duke akuzuar Izraelin për gjenocid

rezart morina

“Akt i patolerushëm” – Presidenca reagon ashpër për plagosjen e dy serbëve në Shtërpcë

admin

Erdogan: Turqia mund të shqyrtojë anëtarësimin e Finlandës në NATO para Suedisë

rezart morina