RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Bota përshëndet marrëveshjen historike të nënshkruar në Turqia për zhbllokimin e drithërave nga Ukraina

bota-pershendet-marreveshjen-historike-te-nenshkruar-ne-turqia-per-zhbllokimin-e-dritherave-nga-ukraina

Shumë vende, duke përfshirë Britaninë, SHBA-në, Italinë, Kanadanë dhe Suedinë, falënderuan Turqinë dhe OKB-në për përpjekjet e tyre drejt marrëveshjes

Me ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së, Ukraina dhe Rusia nënshkruan sot në Istanbul një marrëveshje për rifillimin e dërgesave të drithërave të Ukrainës nga portet e Detit të Zi, një përparim diplomatik i mirëpritur në të gjithë globin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përshëndeti marrëveshjen historike të nënshkruar nga Rusia, Ukraina, OKB-ja dhe Turqia për të rifilluar eksportet e drithërave përmes Detit të Zi.

“Pushtimi barbar i Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin ka bërë që disa nga njerëzit më të varfër dhe më të cenueshëm në botë të rrezikohen të mos kenë asgjë për të ngrënë”, tha në një deklaratë sekretarja e Jashtme Liz Truss.

“Tani kjo marrëveshje duhet të zbatohet dhe ne do të mbikëqyrim për të siguruar që veprimet e Rusisë të përputhen me fjalët e saj”, shtoi ajo.

Marrëveshja u mirëprit edhe nga vende të tjera.

SHBA-ja e quajti marrëveshjen një “hap pozitiv” dhe falënderoi presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe shefin e OKB-së Antonio Guterres për përpjekjet e tyre.

Kryeministri i Italisë Mario Draghi tha se marrëveshja është “lajm i shkëlqyer” për komunitetin ndërkombëtar për të shmangur një krizë globale ushqimore.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, përshëndeti gjithashtu përpjekjet e Turqisë dhe OKB-së që çuan në marrëveshje.

“Marrëveshja e sotme e Istanbulit është një hap në drejtimin e duhur” për të zgjidhur problemet e shkaktuara nga “pushtimi i paligjshëm i Rusisë në Ukrainë, i cili la miliona në rrezik nga uria”, shkroi Borrell në Twitter.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, përshëndeti marrëveshjen, duke thënë: “G7 po punon ngushtë me partnerë si Turqia dhe të tjerët për të siguruar që ne mund ta nxjerrim atë drithë nga Ukraina dhe drejt vendeve në mbarë botën ku është e nevojshme pa vënë në rrezik sovranitetin dhe mbrojtjen e Ukrainës”.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Ann Linde, falënderoi shefin e OKB-së dhe presidentin turk për përpjekjet e tyre për të lehtësuar krizën globale të ushqimit. “Suedia mirëpret marrëveshjen për eksportin e grurit të bllokuar për shumë muaj në Ukrainë për shkak të agresionit të Rusisë”, shkroi ajo në Twitter.

Sipas marrëveshjes, e arritur mbi një plan të udhëhequr nga OKB-ja gjatë bisedimeve të 13 korrikut në Istanbul, do të krijohet një qendër koordinimi për të kryer inspektime të përbashkëta në hyrje dhe dalje të porteve dhe për të garantuar sigurinë e rrugëve.

E vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin e saj ndërmjetësues, Turqia është koordinuar me Moskën dhe Kievin për të hapur një korridor nga qyteti port ukrainas i Odesës për të rifilluar dërgesat globale të drithërave që janë bllokuar për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. /aa

Related posts

Ministri i Jashtëm palestinez: Vendet evropiane duhet ta njohin shtetin e Palestinës për t’i dhënë fund konfliktit

admin

Raisi: Perëndimi ka dështuar ta izolojë Iranin

admin

Erdoğan priti në takim anëtarin e Presidencës së BeH, Zheljko Komshiq

rezart morina