Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka reaguar pas vdekjes së 44-vjeçarit, Shpejtim Gashi, i cili ka vdekur në vendin e tij të punës në Itali.
Hykolli u ka bërë thirrje punëdhënësve dhe autoriteteve kompetente, që pas kësaj ngjarje, të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen.
“Ndërsa përballemi me këtë moment të rëndë, të gjithë ne duhet të vendosim theksin mbi sigurinë në vendin e punës duke kërkuar që të merren masa të menjëhershme për të parandaluar ngjarje të tilla tragjike në të ardhmen. Kërkojmë nga punëdhënësit, autoritetet kompetente dhe shoqëria të bashkohen me ne në një përpjekje tëpërbashkët për të siguruar që vendet e punës të jenë të sigurta për të gjithë punëtorët tanë. Në këtë moment të trishtë e në kujtim të punëtorit Shpejtim Gashi, ne, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kërkojmë një hetim të hollësishëm mbi ngjarjen që ka ndodhur dhe kërkojmë përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit që mund të ketë ndodhur. Kjo është e detyrueshme për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e të gjithë punëtorëve tanë”, ka shkruar Hykolli në Facebook.
Më tej, Hykolli ka shtuar se Qeveria e Kosovës e ka detyrim kushtetues të mbroj jetën dhe të drejtat e qytetarëve të vendit.
“Po ashtu duam t’ia përkujtojmë partnerit tonë social – qeverisë që është detyrimi i saj kushtetues të mbroj jetën dhe të drejtat e qytetarëve tanë, përfshirë këtu edhe punëtorët. Kërkohet një ndërhyrje e menjëhershme për të adresuar çështjet e sigurisë në vendet e punës dhe për të siguruar se punëtorët kanë mundësi të sigurojnë një jetë të denjë dhe të sigurt për familjet e tyre. Familja e punëtorit të humbur dhe miqtë e tij janë në mendjet dhe zemrat tona në këtëmoment të vështirë. Ne përcjellim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe mbështetjen tonë më të madhe për ta. Ndihma dhe solidariteti ynë për ta do të jetë konstant”, thuhet tutje në postimin e Hykollit