Nikolay Denkov, i ngarkuar me detyrën e kryeministrit nga forca e dytë politike në parlament ”Vazhdojmë ndryshimin”, i dorëzoi sot presidentit Rumen Radev përbërjen e qeverisë së re.
Kjo është përpjekja e dytë, këtë herë e suksesshme, pasi kryeministri i emëruar nga konservatorët e GERB-it (forca e parë politike në vend), ish-komisionerja e BE-së, Mariya Gabriel, dha dorëheqjen nga mandati, pa propozuar një ekzekutiv.
Gabriel shpalli një marrëveshje kompromisi me liberalët për një alternim kryeministrash në krye të një qeverie të re.
”Bullgaria ka nevojë për institucione dhe politikanë që vërtetë punojnë për interesat e vendit, për sigurinë, për drejtësinë dhe kundër korrupsionit. Gjithë bullgarët e ndershëm presin që ata të forcojnë sovranitetin e vendit”, tha Radev.
Nga ana e tij, kandidati për kryeministër Nikolai Denkov tha se “ne të gjithë kemi nevojë të lehtësojmë situatën në vend që njerëzit ta dinë që qeveria, parlamenti dhe institucioni i presidentit po punojnë së bashku për të zhvilluar shtetin në dobi të njerëzve”.
Sipas marrëveshjeve të të dy forcave politike, qeveria do të kishte një afat 18-mujor.
Nëntë muajt e parë do të jetë kryeministër Nikolay Denkov (60 vjeç), me Maria Gabriel si zëvendëskryeministre dhe ministre e Jashtme, ndërsa në nëntë muajt në vijim ish-komisionerja do të jetë kryeministre.
Nga 19 ministra, vetëm katër janë politikanë, të gjithë të tjerët janë teknikë dhe ekspertë.
Tani i takon presidentit Radev të nxjerrë një dekret për t’ia besuar miratimin e parlamentit qeverisë së re. /atsh