Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se vendi i tij ka marrëdhënie historike dhe kulturore me Maqedoninë e Veriut, si dhe një lidhje të fortë partneriteti, raporton Anadolu.
Çavuşoğlu foli në një konferencë të përbashkët për media të mbajtur pas një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues i radhës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe Helga Schmid, Sekretare e Përgjithshme e OSBE-së.
Duke falënderuar qeverinë dhe popullin e Maqedonisë së Veriut që kanë qenë me Turqinë që në ditët e para pas tërmetit të 6 shkurtit që goditi pjesën jugore të vendit, Çavuşoğlu rikujtoi se Maqedonia e Veriut shpalli 13 shkurtin ditë zie me këtë rast dhe dërgoi ekip kërkim-shpëtimi prej 190 personash.
Çavuşoğlu tha se ky ekip ka punuar me ekipet turke në Adıyaman dhe Kahramanmaraş dhe kanë nxjerrë të gjallë dy qytetarë prej rrënojave.
Ai vuri në dukje se tërmetet në Turqia janë diskutuar si pikë e posaçme e rendit të ditës në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, duke shtuar se në këtë takim ka marrë ngushëllime dhe i është përcjellë mbështetja e vendeve anëtare të OSBE-së.
Çavuşoğlu vuri në dukje se OSBE-ja, e shtrirë nga Euro-Atlantiku në Euroazi, përfshin 57 vende dhe tërhoqi vëmendjen se kjo organizatë dhe Organizata e Bashkëpunimit Islam janë organizatat më të mëdha për nga numri i anëtarëve pas Kombeve të Bashkuara.
Duke theksuar se OSBE-ja bazohet në një kuptim gjithëpërfshirës të sigurisë, Çavuşoğlu tha se në këtë drejtim, organizata mund të jetë një platformë për zhvillimin e bashkëpunimit midis vendeve anëtare gjatë fatkeqësive natyrore.
Çavuşoğlu deklaroi se në këtë kuadër, reformimi i OSBE-së do të ishte me përfitim të madh, duke theksuar se kjo nuk vlen vetëm për tërmetet në Turqi dhe se vendi i tij do të kontribuojë në hapat që do të ndërmerren në këtë drejtim në të ardhmen dhe do të ndërmarrë iniciativa.
“Kemi lidhje historike, kulturore dhe të fortë partneriteti”
Kryediplomati turk tha se do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me Maqedoninë e Veriut gjatë kryesimit të OSBE-së, duke shtuar se në takimin e sotëm trepalësh kanë diskutuar për çështjet në agjendën e OSBE-së.
Duke thënë se kanë diskutuar edhe luftën në Ukrainë, Çavuşoğlu tha: “OSBE-ja kishte një mision të posaçëm vëzhgimi në Ukrainë. Na u desh të evakuoheshim pas luftës. Në krye të këtij misioni ishin dy diplomatë turq”.
Ai po ashtu njoftoi se kanë biseduar për disa nga çështjet me të cilat ballafaqohet OSBE-ja, buxhetin dhe reformat, ndërsa tha se janë gjithmonë në kontakt me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Osmani, për marrëdhëniet bilaterale mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Duke theksuar se ka një lidhje të fortë mes dy vendeve, Çavuşoğlu tha: “Ne kemi lidhje historike dhe kulturore. Kemi një lidhje të fortë partneriteti. Turqit që jetojnë në Maqedoninë e Veriut janë gjithashtu një element i rëndësishëm që lidh Maqedoninë e Veriut me ne”.
Çavuşoğlu nënvizoi se nuk do ta harrojnë solidaritetin e OSBE-së dhe vendeve anëtare të saj në këtë periudhë të vështirë dhe falënderoi Osmanin dhe Schmid-in për vizitën e tyre.
Osmani: Do të vazhdojë mbështetja për të prekurit nga tërmeti në Turqi
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në tha se tragjedia e tërmeteve që ndodhën në Turqinë jugore dy javë më parë tregon se “sa e rëndësishme është të jemi bashkë”, duke theksuar se do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për të prekurit nga kjo fatkeqësi.
Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesues i radhës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Schmid, folën në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu pas një takimi në Ankara.
Duke thënë se vizita e tij në Turqi përkoi me një periudhë shumë të dhimbshme, Osmani tha: “Kjo fatkeqësi ka krijuar një dhimbje që ne nuk mund ta shprehim në asnjë mënyrë, për qindra mijëra njerëz, familje dhe në mbarë vendin. Dëshiroj t’ju shpreh ngushëllimet në emër të OSBE-së, ngushëllimet e mia për viktimat dhe uroj shërim të shpejtë për të lënduarit”.
Duke u shprehur se lidhjet mes vendeve janë më të forta në kohë krize, Osmani tha: “Këto janë kohët kur njerëzimi vihet në sprovë. Kjo tragjedi na kujton se sa e rëndësishme është të jemi bashkë. Kjo tregon se sa i rëndësishëm është uniteti dhe solidariteti”.
Osmani tha se do të vazhdojnë t’i mbështesin njerëzit e prekur nga tërmeti dhe falënderoi të gjitha vendet anëtare të OSBE-së për mbështetjen e dhënë.
Ai theksoi se spektri i misionit të OSBE-së në trajtimin e fatkeqësive natyrore është i ngushtë dhe se ata e kanë vlerësuar atë, duke shtuar se gjatë kryesimit të vendit të tij, OSBE-ja do të fokusohet në mekanizma shtesë që mund të krijohen në këtë drejtim dhe të vlerësojë se çfarë mund të bëhet në të ardhmen në tragjedi të ngjashme.
Duke thënë se marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë janë ndërtuar mbi një bazë shumë të fortë besimi dhe respekti reciprok, Osmani shtoi se është këtu për të shprehur se kjo mbështetje do të vazhdojë derisa populli turk ta kapërcejë plotësisht këtë tragjedi.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Turqisë”
Ndërkaq, Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Schmid, përcolli ngushëllimet e saj për familjet që humbën të dashurit e tyre dhe tha se Turqia dhe Siria kanë përjetuar një fatkeqësi të tmerrshme tërmeti.
Schmid tha se janë solidarizuar duke vizituar Turqinë me kryesuesin e OSBE-së, Osmanin, dhe kanë ardhur në Turqi edhe në emër të punonjësve të OSBE-së.
Duke thënë se pas tërmetit, qendra e OSBE-së në Vjenë kontaktoi menjëherë zyrtarët turq dhe filloi të kontribuojë, Schmid theksoi se ata vazhdojnë përpjekjet e tyre për të dhënë mbështetje dhe ndihmë në mënyrë shumë të sinqertë.
“Unë vij këtu nga Konferenca e Sigurisë në Mynih. Edhe atje u dhanë mesazhe jashtëzakonisht të rëndësishme mbështetjeje. Isha së bashku me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev, kryeministrin e Armenisë Nikol Pashinyan dhe kryeministrin e Gjeorgjisë Irakli Garibashvili. Të gjithë nënvizuam rëndësinë e të qenit bashkë dhe të japim mbështetjen përballë kësaj tragjedie. Do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Turqisë”, tha Schmid.
#Canlı
Kuzey Makedonya Dışişleri Bakanı Bujar Osmani ve AGİT Genel Sekreteri Helga Schmid ile Basın Toplantısı
Joint Press Conference with Bujar Osmani, Minister of Foreign Affairs of North Macedonia and Helga Schmid, Secretary General of OSCE
Ankara https://t.co/xR0gthF8Wk— Mevlüt Çavuşoğlu (@MevlutCavusoglu) February 20, 2023