Nënkryetari dhe zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) Omer Çelik tha se masakrat dhe ngjarjet tragjike gjatë agresionit kundër Bosnjë e Hercegovinës (BeH) nuk do të kishin ndodhur nëse në atë kohë do të kishte qenë Turqia e sotme dhe presidenti aktual Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.
Çelik qëndroi në qytetin jugor turk të Adana-s, ku u takua me përfaqësues të Shoqatës Bosnja-Adana. Çelik mbërriti në takim me përfaqësuesit e kësaj shoqate duke përdorur automjetin turk Togg.
Në një bisedë me anëtarët e shoqatës, Çelik kujtoi momentet kur ai shoqëronte presidentin Erdoğan gjatë kthimit nga një vizitë në një nga vendet e huaja, kur morën informacione se presidenti i parë i BeH-së, Alija Izetbegoviq ishte shtruar në spital dhe se si vendosën të zbarkojnë në Sarajevë.
“Ne zbarkuam urgjentisht në Sarajevë. Unë isha me presidentin tonë kur shkuam në spital. Pastaj presidenti foli me Alija Izetbegoviqin dhe i tha atij: ‘Ne duam të të transferojmë në Turqi për trajtim”, por Alija i tha: “Nuk dua të largohem prej këtu”, tha Çelik.
Ai shtoi se Erdoğan insistoi vazhdimisht, duke i thënë Izetbegoviqit se do ta kthente në Bosnjë pas trajtimit, në të cilën Izetbegoviq tha: “Unë dua të vdes në vendin tim, nuk dua të largohem nga ky vend”.
Çelik tha se në atë kohë i ndjeri Alija Izetbegoviq ka lënë amanet kujdesin për trashëgiminë e Sulltan Fatihut në Ballkan. “Që atëherë, presidenti ynë e ka mbajtur atë besim mbi supet e tij. Që atëherë, ata (Bosnja) nuk kanë mbetur kurrë vetëm”, tha Çelik.
Duke theksuar se ai kishte qenë në BeH në disa raste, Çelik bëri një paralele midis Bosnjës dhe Azerbajxhanit. Ai tha se gjatë qëndrimit të tij në Bosnjë, ka parë bunkerë të ndërtuar nga snajperët serbë që vranë boshnjakët atje dhe të njëjtit bunkerë, tha ai, janë ndërtuar nga armenët gjatë luftës në Karabak.
“Atëherë nisa të mendoj: ‘Nëse Turqia e sotme do të kishte ekzistuar në kohën e luftës në Bosnjë, nëse Recep Tayyip Erdoğan do të kishte qenë në krye të Turqisë, asnjë nga ato masakra nuk do të kishte ndodhur”, tha Çelik, duke shtuar:
“Fuqia e Turqisë nënkupton ruajtjen dhe mbrojtjen e Islamit në Ballkan. Ajo që nevojitet sot është paqja. Vullneti i presidentit tonë për të ruajtur paqen është aq i fortë dhe aq i pranuar sa edhe liderët serbë atje japin deklaratë duke thënë se ‘Erdoğan duhet të zgjidhet’. Sepse askush nuk do më luftë”.
Në fund, Çelik theksoi se “Ballkani është gjithmonë në fokusin e presidentit Erdoğan”.