Komanda Qendrore e Ushtrisë së SHBA-së (CENTCOM) ka njoftuar se ka “përfunduar një tjetër raund sulmesh kundër Iranit”, duke goditur rreth 90 objektiva ushtarake, transmeton Anadolu.
“Forcat amerikane goditën rreth 90 objektiva ushtarake iraniane, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, pajisje të mbikëqyrjes bregdetare, pika magazinimi të raketave dhe dronëve, kapacitete detare dhe infrastrukturë logjistike ushtarake përgjatë vijës bregdetare të Iranit. Sulmet e fundit vijnë pas ekzekutimit të suksesshëm të sulmeve sulmuese në Iran një natë më parë”, shkroi CENTCOM në rrjetin social amerikan X.
CENTCOM tha se sulmet kishin për qëllim “dobësimin e mëtejshëm të aftësisë së Iranit për të sulmuar anijet tregtare dhe marinarët civilë të pafajshëm në Ngushticën e Hormuzit”.
Më herët, CENTCOM tha se forcat amerikane kishin nisur një raund të ri sulmesh kundër Iranit.
“Nën udhëzimin e Komandantit të Përgjithshëm, forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së kanë filluar kryerjen e sulmeve shtesë kundër Iranit për të dobësuar më tej aftësinë e tyre për të kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, thuhej në një deklaratë të publikuar në X.
“SHBA-ja po e mban Iranin përgjegjës për agresionin e fundit të pajustifikuar kundër transportit tregtar dhe ekuipazheve civile që lundrojnë lirshëm në një rrugë ujore jetike ndërkombëtare”, shtoi deklarata.
Ndërkohë, agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Mehr raportoi se një shpërthim u dëgjua mbrëmë në qytetin jugor iranian Bandar Abbas.
Sulmet erdhën disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar me Iranin për t’i dhënë fund luftës ishte i “përfunduar” dhe se SHBA-ja “me shumë gjasë” do ta godiste përsëri Iranin të mërkurën në mbrëmje.
Një zyrtar amerikan tha për CNN se armëpushimi me Iranin “të paktën përkohësisht ka pushuar”.
“Ushtria amerikane është në një fazë pritjeje dhe vëzhgimi”, raportoi CNN duke cituar zyrtarin, duke shtuar se objektivat e sulmeve të sotme ishin raketat dhe dronët.
Një tjetër zyrtar amerikan tha më vonë për Axios se përshkallëzimi aktual mund të zgjasë një ose dy ditë, një javë ose një muaj, në varësi të faktit nëse Irani vazhdon sulmet ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
“Do t’u japim një goditje të vogël”, tha zyrtari, duke pretenduar se përshkallëzimi aktual buron nga zhgënjimi i një pjese të udhëheqjes iraniane, e cila beson se marrëveshja me SHBA-në nuk ka sjellë përfitime reale për Teheranin.

