Mbi 50 mijë migrantë kanë kaluar nga Maroku në enklavën spanjolle të Ceutas brenda vetëm 24-orësh, duke shkaktuar një nga krizat më të mëdha në kufirin e Bashkimit Evropian në vitet e fundit. 67 persona kanë humbur jetën në përpjekje për të kaluar kufirin, ndërsa autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se shumica janë kthyer sërish në Marok.
Numri i migrantëve që kaluan kufirin është i barabartë me më shumë se dy të tretat e popullsisë së Ceutas, duke krijuar një situatë të rëndë humanitare.
Ceuta, kufiri i vetëm tokësor i BE-së me Afrikën
Së bashku me Melillan, Ceuta përbën kufirin e vetëm tokësor të Bashkimit Evropian me kontinentin afrikan. Edhe pse ndodhet në bregun verior të Afrikës, ajo është nën administrimin e Spanjës që nga viti 1580.
Në qytet jetojnë së bashku komunitete të krishtera dhe myslimane, ndërsa marrëdhëniet mes banorëve spanjollë dhe marokenë janë përgjithësisht të mira. Megjithatë, Maroku nuk e njeh Ceutan dhe Melillan si pjesë të Spanjës dhe i konsideron territore të pushtuara.
Pse është Ceuta destinacion i shpeshtë për migrantët?
Spanja është një nga pikat kryesore të hyrjes në Evropë për njerëzit nga kontinenti i Afrikës që largohen nga varfëria, konfliktet ose kërkojnë një jetë më të mirë.
Për këtë arsye, Ceuta dhe Melilla janë ndër kufijtë më të fortifikuar të Bashkimit Evropian. Shumë migrantë përpiqen të arrijnë në Ceuta duke notuar rreth pesë kilometra nga qyteti maroken Fnideq ose nga zona e Belyounech.
Ngjarje të tilla nuk janë të reja. Në Melilla, në vitin 2022, humbën jetën 23 persona gjatë tentativës për të kaluar kufirin, ndërsa në Ceuta, në vitin 2014, të paktën 14 migrantë vdiqën në rrethana të ngjashme.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, që nga viti 2014 janë regjistruar mbi 35 mijë migrantë të vdekur ose të zhdukur në Detin Mesdhe. Vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar afro 1.500 raste të vdekjeve ose zhdukjeve.
Çfarë e shkaktoi kalimin masiv të kufirit?
Analistët besojnë se ngjarjet mund të lidhen me tensionet e reja diplomatike mes Marokut, Algjerisë dhe Spanjës.
Ata kujtojnë se një situatë e ngjashme ndodhi në maj të vitit 2021, kur Maroku lehtësoi kontrollet kufitare gjatë një mosmarrëveshjeje diplomatike me Spanjën për trajtimin e liderit të lëvizjes politike, Fronti Polisario, në një spital spanjoll.
Kriza u zbut në vitin 2022, pasi Madridi mbështeti propozimin e Marokut për zgjidhjen e çështjes së Saharasë Perëndimore, duke dëmtuar marrëdhëniet me Algjerinë, e cila mbështet Frontin Polisario. Fronti Polisario kërkon pavarësinë e Saharasë Perëndimore, ndërsa Maroku e konsideron territorin pjesë të pandashme të shtetit dhe propozon vetëm autonomi.
Sanchez deklaroi se kontrabandistët e migrantëve kanë përhapur thashetheme se një vendim i ri i Gjykatës Supreme të Spanjës nuk lejon më kthimin e menjëhershëm të migrantëve që mbërrijnë nga deti.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se arsyeja kryesore është politike. Studiuesi italian i migracionit, Matteo Villa, ka thënë se është e vështirë të besohet se 50 mijë persona do ta kalonin spontanisht kufirin brenda një dite, kur zakonisht tentojnë ta bëjnë këtë vetëm disa qindra migrantë në muaj.
Përballë krizës, Spanja ka dërguar ushtrinë dhe forca shtesë policore në Ceuta për të rikthyer kontrollin mbi kufirin.
Kryeministri Pedro Sanchez e cilësoi situatën si një “shkelje të integritetit territorial të Spanjës”.
Kriza ka shkaktuar edhe përçarje politike brenda Bashkimit Evropian. Partitë e djathta kanë akuzuar qeverinë spanjolle se ka dhënë sinjale të gabuara duke legalizuar qindra mijëra migrantë të parregullt gjatë këtij viti.
Italia ka kërkuar madje që të shqyrtohet pezullimi i Spanjës nga zona Shengen, ndonëse Ceuta dhe Melilla nuk janë pjesë e regjimit Shengen në të njëjtën mënyrë si pjesa tjetër e territorit spanjoll. Ndërkohë, Franca ka forcuar kontrollet në kufirin me Spanjën.

