RTV AHIRETI
ArtikujFeaturedKosovëLajmeLajmet

Çfarë pritet sot nga Samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor?

cfare-pritet-sot-nga-samiti-i-be-se-me-vendet-e-ballkanit-perendimor?

Liderët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian do të takohen sot në një samit dyditor në Bruksel, e që i paraprinë një takim i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Takimi i liderëve të BE-së dhe gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor pritet të fillojë në orën 09:30 në ndërtesën e Këshillit Evropian, ndërkaq në 11:30 do të ketë konferencë për media.

Megjithëse ditëve të fundit është raportuar se në këtë samit do të diskutohet edhe çështja e liberalizmit të vizave dhe ishte shprehur optimizëm për këtë proces, në draft konkluzat që ka parë Telegrafi çështja e vizave nuk përmendet fare.

Kosova është i shteti i vetëm në Evropë që ende nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë, pavarësisht se Komisioni Evropian dy herë ka theksuar se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.

Në konkluzat që pritet të dalin nga ky samit, e në të cilat Telegrafi i ka parë bëhet thirrje për sundim të ligjit dhe progres në dialogun Kosovë-Serbi, por që nuk përmendet diçka rreth liberalizimit të vizave.

Në këto konkluzione Bashkimi Evropian shpreh zotimin e plotë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ndërkaq bën thirrje për rëndësinë e reformave dhe sundimin e ligjit, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqësorit dhe luftimin e korrupsionit.

Në këto konluzione po ashtu përmendet çështja e dialogut Kosovë-Serbi, ndërkaq theksohet urgjenca e përparimit në dialog, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.

Përveç këtyre përmenden edhe çështje tjera për shtetet në rajon, mirëpo nuk përmendet çështja e liberalizimit të vizave.

Megjithatë deri në kohën kur pritet të nisë samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor konkluzat mund të pësojnë ndryshime.

Holanda dhe Franca konsiderohen dy vendet skeptike sa i përket çështjes së liberalizimit.

Por deputetja holandeze Kati Piri, e cila është edhe anëtare e Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, ka folur për çështjen e Ballkanit Perëndimor.

Në një shkrim në llogarinë e saj zyrtare në Twitter, Piri ka thënë se Holanda ka ndryshuar sa i përket integrimit evropian të shteteve të BP-së.

Pos disponimit për zgjerimin e BE-së, deputetja ka shtuar se parlamenti holandez janë të gatshëm për ta rishikuar qëndrimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Megjithatë, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën mund të jetë temë në margjinat e Samitit të BE-së

Në Samitin e BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor, e pranishme do të jetë edhe presidentja Vjosa Osmani.

Në një intervistë për mediumin holandez NRC, Osmani ka thënë se shkon me shpresë por pa pritshmëri në lidhje me këtë çështje.

“Unë shkoj gjithmonë atje (BE) me shpresë, por pa shumë pritshmëri. Le të shpresojmë se nuk do të jetë një tjetër zhgënjim”, është shprehur ndër të tjera Osmani.

Në prag të mbajtjes së Samitit të BE-së në Bruksel, këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger i ka shkruar letër presidentit të Francës, Emmanuel Macron, duke i kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën.

Po ashtu, ajo i ka dërguar edhe peticionin me nënshkrimet që kërkojnë një gjë të tillë.

Optimizëm për këtë proces ditë më parë ka dhënë edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai kishte thënë se Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë.

“Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme evropiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë”, citohet të ketë thënë Lajçak.

E për liberalizimin e vizave, përmes një letre dërguar Presidentit të Këshillit Evropian, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që në samitin e 23 qershorit ta heq regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidenti slloven kërkesën e ka bërë përmes një letre dërguar Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

Related posts

Çfarë rëndësie ka njohja e shtetit palestinez nga Spanja, Irlanda dhe Norvegjia? Ja implikimet që sjell dhe si do të reagojë Izraeli

admin

Moska reagon ndaj refuzimit të Polonisë për t’i dhënë vizë ministrit të jashtëm rus

admin

Kurti takon Ministren e Jashtme Baerbock: Mbështetja e Gjermanisë për anëtarësim të plotë në KiE kyçe

admin