RTV AHIRETI
Lajme

Clark: Serbia nuk do paqe dhe Kosova nuk do pavarësi të nënshtruar

clark:-serbia-nuk-do-paqe-dhe-kosova-nuk-do-pavaresi-te-nenshtruar

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, i cili ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, thotë se mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë stabilitet, derisa Moska t’i tërheqë ambiciet e saj imperialiste nga rajoni.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë 25 vjet pas përfundimit të sulmeve, ai thotë se Serbia është si një magnet që i tërheq ambiciet imperialiste ruse në Evropë.

“Serbia nuk do paqe dhe Kosova nuk do pavarësi të nënshtruar. Rrugëdalje është mposhtja e Rusisë në Ukrainë. Rusia ta tërheqë mbështetjen për Serbinë dhe Serbia ta kuptojë se e ardhmja e saj është me Perëndimin. Kur serbët ta kuptojnë këtë, nuk do të ketë probleme me Kosovën. Rusia ka ambicie imperialiste – të gjithë në Evropën Lindore e dinë këtë. Të gjithë që nuk janë Rusi, Moska i sheh si qenie më të vogla”, ka thënë Clark.Clark nuk e përjashton rrezikun e shpërthimit të dhunës pas së cilës fshihet Moska zyrtare.

“Mendoj se ka rrezik për dhunë. Vite më parë, kemi parë përpjekje për grusht-shtet në Mal të Zi. Së voni, kemi parë sherr në kufi mes Serbisë dhe Kosovës, në të cilin [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq ka mohuar se ka marrë pjesë. Por, dikush në Serbi ka marrë pjesë, sepse lëvizja e forcave ushtarake ka qenë e organizuar dhe e urdhëruar. Kështu që, kur shihni se si funksionojnë gjërat në këtë pjesë të botës, e kuptoni se ka një dorë të fshehur pas pjesës më të madhe të kësaj. Dhe ajo dorë vjen nga Moska. Por, derisa Moska t’i tërheqë ambiciet e saj imperialiste nga rajoni, nuk do të keni stabilitet”.

Duke folur për asociacionin, Clark tha se mënyra më e mirë për paqe është respektimi i kufijve kombëtarë.

“Mendoj se është më mirë për të gjithë në rajon nëse nuk e shtyjmë përpara asociacionin, por në vend të tij punojmë që këto dy qeveri [të Kosovës dhe Serbisë] t’i normalizojnë marrëdhëniet diplomatike,” ka thënë ai./Radio Evropa e Lirë

The post Clark: Serbia nuk do paqe dhe Kosova nuk do pavarësi të nënshtruar first appeared on Radio Televizioni Iliria.

Related posts

Rritet në 41.226 numri i pa’lestinezëve të vr’arë nga su’lmet iz’raelite në Ga’za

RTI

Abbott: Është koha që Kosova të propozojë një draftstatut për Asociacionin

rezart morina

Hovenier shprehet i tronditur për shpërthimet në veri: Autorët të dalin para drejtësisë

rezart morina