Çmimet e naftës kanë shënuar rënie pasi rritja e rasteve të koronavirusit COVID-19 në Kinë, importuesin më të madh në botë të naftës së papërpunuar, pakësoi shpresat për një rikuperim të kërkesës për naftë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Standardi ndërkombëtar ‘Brent’ tregtohet me 83,14 dollarë për fuçi, duke regjistruar një ulje prej 1.01 për qind krahasuar me çmimin e djeshëm prej 83,99 dollarë për fuçi.
Standardi amerikan ‘West Texas Intermediate’ (WTI) tregtohet me 78,22 dollarë për fuçi krahasuar me çmimin e djeshëm prej 78,96 dollarë për fuçi, përkatësisht duke regjistruar një ulje prej 0,94 për qind.
Këtë javë, rritja e rasteve të virusit COVID-19 në Kinë shkaktoi rënien e pritjeve për një rritje të kërkesës për naftë.
Italia, Japonia, Tajvani, India dhe SHBA-ja planifikojnë të imponojnë testet për COVID-19 tek udhëtarët nga Kina, pasi duke filluar nga 8 janari Kina hap kufijtë e saj për udhëtime.
Këtë muaj, kombi më i populluar në botë hoqi politikën e rreptë “zero-COVID”, pas trazirave dhe protestave të paprecedentë në disa pjesë të vendit.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës tha se do të raportojë shifrat mujore të rasteve me COVID-19 në vend të shifrave ditore. Vendimi erdhi pasi Kina po përballet me një rritje alarmante të infeksioneve, derisa thuhet se edhe numri i vdekjeve është rritur.
Ndërkohë, Instituti Amerikan i Naftës vlerësoi se inventarët e naftës së papërpunuar në SHBA ranë me 1,3 milion fuçi në javën që përfundon më 23 dhjetor.