RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

COP27 përpjekje për një marrëveshje të minutës së fundit

cop27-perpjekje-per-nje-marreveshje-te-minutes-se-fundit

Një konferencë e OKB-së për klimën në Egjipt hyri sot në ditën e saj të fundit, ndërsa delegatët përpiqeshin të arrinin konsensus mbi çështjet kryesore që lidhen me frenimin e ngrohjes globale.

Konferenca dyjavore, e njohur si COP27, do të përfundonte dje, por ajo u zgjat edhe sot me shpresën për të arritur një përparim.

Një çështje e mprehtë në qendër të bisedimeve është pagesa e dëmshpërblimeve për dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike në vendet më të varfra.

Delegatët e vendosën çështjen, e njohur si financimi i humbjeve dhe dëmeve, në rendin e ditës, për herë të parë këtë vit.

Vendet në zhvillim kanë bërë presion prej kohësh për krijimin e një mekanizmi financiar për të trajtuar dëmet e shkaktuara nga klima në vendet me të ardhura të ulëta, një kërkesë që ka hasur në rezistencë nga vendet e pasura, për vite me radhë.

Bashkimi Evropian ka sinjalizuar gatishmërinë për kompromis për financimin e vendeve të cenueshme, por me kushte.

Së pari, paratë duhet t’i përfitojnë vendet më të cenueshme – një kusht që synon të parandalojë Kinën, një emetues kryesor global, të përfitojë nga pagesat.

Për më tepër, dëmshpërblimet e dëmeve klimatike duhet të lidhen me shkurtime më të thella të emetimeve.

Një pengesë e re për delegatët u shfaq dje vonë, kur u njoftua se i dërguari i SHBA për klimën, John Kerry, një pjesëmarrës kyç, kishte rezultuar pozitiv me koronavirus.

Zëdhënësja e tij, Whitney Smith tha se ai ishte plotësisht i vaksinuar dhe kishte vetëm simptoma të lehta.

“Ai po punon me ekipin e tij të negociatave dhe homologët e huaj përmes telefonit për të siguruar një rezultat të suksesshëm të COP27,” shtoi Smith. /atsh

Related posts

Azerbajxhani instalon spital fushor për të prekurit nga tërmetet në Turqi

admin

Xhamia në qendër të Gazës është shkatërruar nga sulmet izraelite

Muhamet Ramadani

Rritet në 14 numri i viktimave pas aksidentit me tren pranë Xhakartës

Muhamet Ramadani