Bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Greqisë në fushën e mbrojtjes është në një nivel historikisht të lartë dhe e bën rajonin më të sigurt, tha Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) duke iu referuar shitjes së avionëve luftarakë F-35 në Greqi.
Gjatë konferencës, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit përsëriti se qeveria amerikane nuk dëshiron të komentojë shitjen e pajisjeve mbrojtëse para se të ketë një njoftim zyrtar nga Kongresi.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga faqja e internetit “Hellas Journal”, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë Greqinë një aleate dhe partnere të domosdoshme në NATO.
”Së bashku, vendet tona avancojnë synimet e përbashkëta për paqen dhe prosperitetin në Mesdheun Lindor, Ballkanin Perëndimor, rajonin e Detit të Zi dhe më gjerë”, tha ai.
“Marrëdhënia e mbrojtjes SHBA-Greqi është më e fortë se kurrë. Bashkëpunimi ynë forcon NATO-n dhe e bën rajonin më të sigurt”, shtoi ai. /atsh