RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Përleshje të reja në Sudan pavarësisht armëpushimit

perleshje-te-reja-ne-sudan-pavaresisht-armepushimit

Përleshjet e armatosura kanë rifilluar midis ushtrisë sudaneze dhe grupit paraushtarak Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në kryeqytetin Khartoum sot, pavarësisht një marrëveshjeje për armëpushim, thanë dëshmitarë, raporton Anadolu.

Një armëpushim shtatëditor hyri në fuqi midis ushtrisë dhe RSF-së të hënën pas bisedimeve midis dy palëve në konflikt në Arabinë Saudite.

Megjithatë, luftime të ashpra u raportuan sot në qendër të Khartoumit dhe qytetet Bahri dhe Omdurman.

“Granatime të artilerisë tronditën qytetin Omdurman, ndërsa avionë ushtarakë fluturonin në qiell”, tha një dëshmitar okular për Anadolu.

Zëra të shpërthimeve u dëgjuan gjithashtu në disa zona në Khartoum dhe Bahri, shtoi ai.

Yasser al-Atta, një anëtar i Këshillit Sovran Tranzicional të Sudanit, tha se forcat e ushtrisë rifituan ndërtesën e shtypit të monedhës sudaneze (SCPP) në perëndim të Khartoumit.

“Ne do t’i përgjigjemi çdo shkeljeje të armëpushimit”, tha al-Atta për televizionin Al-Jazeera.

Anëtari i këshillit akuzoi RSF-në për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit duke sulmuar selinë e SCPP-së në Khartoum.

Nuk kishte asnjë koment nga RSF-ja mbi pretendimet.

Sipas mjekëve vendas, të paktën 863 civilë janë vrarë dhe 3.531 të tjerë janë plagosur që nga shpërthimi i konfliktit më 15 prill.

Luftimet në Sudan filluan pas një mosmarrëveshjeje në muajt e fundit midis ushtrisë dhe RSF-së rreth integrimit të grupit paraushtarak në forcat e armatosura, një kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të vendit me grupet politike.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, një lëvizje kjo e cilësuar nga forcat politike si “grusht shteti”.

Periudha e tranzicionit e Sudanit, e cila filloi në gusht 2019 pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhje në fillim të vitit 2024.

Related posts

Deputeti ukrainas mbështet anëtarësimin e Kosovës më KiE, e thotë në shqip: Kosova është Evropë

admin6

Enver Beganoviq do të ecë mbi 6 mijë kilometra për në Mekë për të kryer haxhin

admin

Ukrainë, një vajzë 2-vjeçare vritet në një sulm rus me raketa

admin