Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së këtë javë ka arritur në përfundimin se ligji që kërkonte heqjen e TikTok-ut nga pajisjet qeveritare nuk zbatohet më për versionin aktual amerikan të aplikacionit, transmeton Anadolu.
Opinioni ligjor u publikua gjashtë muaj pasi operacionet e TikTok-ut në SHBA iu transferuan një grupi sipërmarrjesh, shumica e të cilave janë amerikane, ndërsa kompania ByteDance me bazë në Pekin mbajti një pjesëmarrje prej 19,9 për qind.
TikTok-u është përballur prej vitesh me shqyrtim të shtuar në SHBA për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë kombëtare, duke e vënë platformën përballë rrezikut të një ndalimi në mbarë vendin.
Në fund të vitit 2022, Kongresi i SHBA-së miratoi me mbështetje dypartiake një ligj që kërkonte nga agjencitë e degës ekzekutive të heqin TikTok-un nga pajisjet federale. Sipas ABC News, ligji zbatohej gjithashtu për “çdo aplikacion ose shërbim pasardhës të zhvilluar ose ofruar nga ByteDance Limited ose nga një entitet në pronësi të ByteDance Limited”.
Të enjten, Zyra e Këshilltarit Ligjor e Departamentit të Drejtësisë tha në një opinion prej 12 faqesh, drejtuar zv/këshilltarit të presidentit, se ligji nuk zbatohet më për versionin aktual amerikan të TikTok-ut.
“Kongresi ndaloi vetëm versionin e TikTok-ut që ndante të njëjtat karakteristika problematike të pronësisë”, thuhet në opinion.
Megjithatë, pavarësisht këtij vlerësimi ligjor, agjencitë federale mund të vazhdojnë ta ndalojnë aplikacionin në pajisjet qeveritare për arsye të menaxhimit të personelit, përfshirë produktivitetin.
Kufizimet fillimisht u vendosën për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare se informacione të ndjeshme qeveritare mund të aksesoheshin nga entitete kineze përmes aplikacionit.
Në vitin 2024, Kongresi i SHBA-së miratoi legjislacion që synonte të ndalojë efektivisht TikTok-un në të gjithë SHBA-në, nëse ByteDance nuk do të shiste operacionet e saj amerikane. Një ditë para se ligji të hynte në fuqi, presidenti Donald Trump udhëzoi Departamentin e Drejtësisë të mos e zbatonte atë, duke theksuar se administrata e tij po punonte për një marrëveshje.
Kjo marrëveshje u finalizua në muajin janar, kur një grup investitorësh kryesisht amerikanë fituan shumicën e aksioneve në operacionet e TikTok-ut në SHBA, ndërsa ByteDance mbajti një pjesëmarrje prej 19,9 për qind.

