Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se SHBA nuk pret ndonjë ndryshim thelbësor nga presidenti i ri i Iranit, transmeton Anadolu.
Kandidati reformist dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Masoud Pezeshkian, fitoi balotazhin presidencial të 5 korrikut në Iran me 53,7 për qind të votave, duke u bërë presidenti i nëntë i vendit.
“Ne nuk kemi asnjë pritje që këto zgjedhje do të çojnë në një ndryshim thelbësor në drejtimin ose politikat e Iranit. Në fund të fundit, nuk është presidenti ai që ka fjalën përfundimtare mbi të ardhmen e politikës së Iranit. Është lideri suprem”, tha Miller në një konferencë për media, duke shtuar:
“Natyrisht, nëse presidenti i ri do të kishte autoritetin për të bërë hapa për të kufizuar programin bërthamor të Iranit, për të ndaluar financimin e terrorizmit, për të ndaluar aktivitetet destabilizuese në rajon, këto do të ishin hapa që ne do t’i mirëprisnim. Por është e panevojshme të thuhet, ne nuk kemi asnjë pritje që kjo mund të ndodhë”.
Zgjedhjet presidenciale të Iranit erdhën pas aksidentit tragjik të helikopterit në provincën e Azerbajxhanit Lindor më 19 maj, ku humbi jetën presidenti Ebrahim Raisi dhe ministri i jashtëm Hossein Amir-Abdollahian.